Ndërlidhjet

Takimi Mustafa-Vuçiq përfundon pa marrëveshje të re


Bruksel, 21 prill 2015.
Bruksel, 21 prill 2015.

Ka përfunduar në Bruksel raundi i radhës i bisedimeve midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq.

Ndërmjetësuesja e dialogut, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka bërë të ditur përmes një deklarate për media se dy palët kanë analizuar përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke vënë theksin te zbatimi i Marrëveshjes për Drejtësinë dhe fillimi i zbatimit të marrëveshjeve për Mbrojtjen Civile.

“Dy palët po ashtu kanë shkëmbyer pikëpamjet për çështjet kryesore të pazgjidhura: energjinë, telekomin dhe krjimin e Asociacionit (të komunave serbe). Në këtë drejtim, ata janë pajtuar që të ndërmerren hapa konkretë deri në takimin e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e Mogherinit.

Kryeministri Mustafa, duke folur për gazetarët pas takimit, ka thënë se ka përafrime sa i përket çështjes së energjisë.

“Mendoj se çështja është e zgjidhshme. Ka ekzistuar një pajtueshmëri, që është arritur, por nuk ka përfunduar tërësisht. Do të punohet… Qëllimi themelor është që distribuimi i energjisë elektrike të bëhet në mënyrë unike, vetëm përmes një operatori në tërë Republikën e Kosovës. Menaxhimi po ashtu të bëhet në mënyrë të drejtë dhe nga institucionet e Kosovës, por kjo duhet të përfundojë me një marrëveshje”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu ka njoftuar se është bërë një agjendë e marrëveshjeve që duhen bërë për kodin telefonik.

Mustafa ka thënë se nuk është diskutuar për asnjë modalitet të Asociacionit të Komunave Serbe dhe se çdo modalitet duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se mbeten shumë “vështirësi” sa i përket energjisë dhe telekomit, por ka shfaqur shpresën për më shumë përparim në takimin e radhës, që do të mbahet në muajin maj.

“Kemi arritur marrëveshje për hapjen e dy vendkalimeve, një me propozimin tonë, një me propozim të palës shqiptare”, ka thënë Vuçiq, duke bërë të ditur se është biseduar edhe për kthimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe ka ngrirë pjesëmarrjen në institucionet qendrore të Kosovës, pas vendimit të kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq. Ky i fundit i kishte cilësuar si "egërsira" disa protestues në Gjakovë.

“Në ditët e ardhshme do të vendoset për kthimin e përfaqësuesve serbë në Qeverinë e Kosovës, për arsyen e thjeshtë se është marrë vendim që të mos bëhet privatizimi në mjediset serbe. Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që Lista Serbe të kthehet në organet e Kosovës”, ka thënë Vuçiq.

Mustafa, megjithatë, ka thënë se nuk ka pasur diskutime për kushte apo privatizim.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, çfarë është edhe kusht për përparimin e tyre drejt integrimit në BE.

Kosova është në pritje të vendimit të Këshillit të BE-së për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa Serbia, edhe pse është duke negociuar anëtarësimin në BE, nuk ka arritur ende të hapë ndonjë kapitull.

Takimi i së martës ka qenë i dyti me radhë prejse Mustafa dhe Vuçiq janë zgjedhur në krye të qeverive përkatëse.

XS
SM
MD
LG