Ndërlidhjet

Korrupsioni, shpëlarja e parave dhe terrorizmi, shqetësim për Kosovën


Përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian në Kosovë, kanë publikuar të martën një raport lidhur me punën rreth luftimit të korrupsionit, shpërlarjen e parave dhe terrorizmit.

Në raportin e vlerësimit, mbi standardet ndërkombëtare në fushën e luftës kundër korrupsionit për Kosovën, thuhet se kjo dukuri konsiderohet si shqetësim serioz nga palët e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore.

Christof Stock, shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se rekomandimet të cilat kanë dalur nga raporti lidhur me korrupsionin, tregojnë se sa i takon çështjes së ligjeve, ende ka nevoje për përmirësime.

“Çmimi i korrupsionit, shpërlarjes së parave dhe formave tjera serioze të krimit ekonomik është shumë i lartë për këtë shoqëri. Si të tilla pengojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, krijojnë frustrim mes tjerash dhe apati të përgjithshme në mesin e qytetarëve. Prandaj, është thelbësore dhe besoj se të gjithë pajtohemi me këtë, që kjo formë e krimit të luftohet në të gjitha frontet”, Stock.

Kurse, Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se lufta kundër korrupsionit, shpërlarjes së parave dhe financimit të luftimit të terrorizmit, është një proces i vështirë dhe sfidues.

Në ketë drejtim, tha Kuçi, institucionet kosovare kanë bërë hapat e parë duke krijuar parakushtet ligjore dhe resurset për të luftuar këto dukuri.

Kuçi tha po ashtu se një punë e madhe në këtë rrafsh mbetet edhe për sistemin e drejtësisë, siç tha ai, duke iu dhënë prioritet lëndëve që paraqiten.

Ministri i Drejtësisë ka kërkuar që të ketë një partneritet dhe bashkëpunimin më të mirë rajonal dhe më gjerë, kur bëhet fjalë për financimet terroriste.

“Ne kemi mungesë të partnerëve ne ato vende ku paraqitet terrorizmi. Për shembull për Sirinë nuk kemi pas informatat e duhura dhe ne e dimë se në politikë jetohet me perceptime, por në drejtësi vetëm me fakte. Njerëzit tanë, prokurorët tanë do të sfidohen në kuptimin e paraqitjes se fakteve para organeve tona. Do të kërkojmë një partneritet me BE-në dhe SHBA-së që të kemi një lloj partneriteti për bartjen e evidencave dhe për rastet e tilla".

“Një partneritet të tillë për shpëlarjen e parave do ta kërkojmë edhe me vendet e rajonit, në veçanti aty ku dyshohet që njerëzit tanë mund të bëjnë shpëlarje të parave, këtu e kam mendjen në Shqipëri, Maqedoni apo edhe në Mal të Zi”, tha Kuçi.

Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni, tha se luftimi i krimit ekonomik, shpëlarjes së parave, luftimi i burimeve të financimit të terrorizimit, janë tri çështjet fundamentale në rrafshin e sigurimit të paqes për një shoqëri demokratike.

“Veç instrumenteve për zbatimin e ligjeve, patjetër që kërkohet një përkushtim i fuqishëm politik dhe ai përkushtim po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Ju siguroj se përkushtimi nuk do të mungojë. Është jetike për Republikën e Kosovës në fazën aktuale të shtet dërtimit që të japë prova të prekshme, të kapshme të adresimit dhe luftimit të këtyre dukurive”, tha Hyseni.

Ndër rekomandimet e tjera të raportit, thuhet se kundër krimit dhe korrupsionit, legjislacioni që është në fuqi duhet të zbatohet.

XS
SM
MD
LG