Ndërlidhjet

Shqipëri: Rritet numri i azilkërkuesëve në BE


Shifrat e autoriteve gjermane tregojnë se drejt Gjermanisë në vitin 2013 kanë shkuar 1,295 persona, në vitin 2014 kjo shifër shkon në 8,113 dhe nga janari deri në mars të 2015, janë6,486 qytetarë shqiptarë të Shqipërisë, që kanë shkelur në këtë vend.

Ndonëse më pak si numër, prirja për largime është në rritje edhe në shtetin e Holandës. Nga të dhënat e këtyre autoriteteve, në vitin 2013 kishte 40 kërkesa, ndërsa në vitin 2014 numri u dyfishua duke shkuar në 90 vetë.

Sipas të dhënave të Insitutit të Statistikave – INSTAT, arsyeja kryesore e largimeve është papunësia.

Në më shumë se dhjetë arsye të identifikuara nga INSTAT, papunësia është faktori kryesor. Gati 72% e emigratëve të pyetur, vlerësohet të kenë ikur në kërkim të një pune.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kanë bërë përgjegjës për largimet masive grupe kriminale, që sipas tyre po shfrytëzojnë një situatë të krijuar nga një keqkuptim i kërkesës së Gjermanisë për punonjës të kualifikuar.

Gjatë një vizite në pikën kufitare të Morinit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha: "Ne jemi shumë të angazhuar që të merremi seriozisht me këtë çështje, sepse besojmë shumë fort që skema të tilla mashtrimi apo dalldi kolektive të nxitura në mënyrë mashtruese, abuzive dhe kriminale, të mos jenë pjesë e fatit të qytetarëve shqiptarë".

Ekspertët rendisin një sërë arsyesh për largimet masive, ku spikat përkeqësimi i situatës ekonomike dhe zhgënjimi nga premtimet e pambajtura të qeverisë Rama.

Të larguarit janë nga thuajse të gjitha qarqet e Shqipërisë, kryesisht nga zonat e thella e të varfëra të vendit.

Policia ka kthyer mbi 2 mijë persona në kufi vetëm gjatë muajit prill, të dyshuar si potencial për të aplikuar për azil, ndërkohë që opozita flet për 16 mijë aplikime për azil në 3 muajt e parë të këtij viti në vendet e BE –së.

Disa prej ambasadorëve të BE-së në Tiranë, u kanë bërë thirrje azilkërkuesëve që të kthehen në Shqipëri, pasi kërkesat e tyre nuk do të pranohen.

XS
SM
MD
LG