Ndërlidhjet

Protesta dhe marshime në tërë botën për 1 Maj


Protestë në Stamboll
Protestë në Stamboll

Aktivistët dhe sindikalistët kanë mbajtur protesta në Evropë dhe tërë botën për të shënuar Një Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Shumica e ngjarjeve është pritur të jenë protesta paqësore për çështje si të drejtat e punëtorëve dhe paqja në botë.

Një protestë në Turqi, megjithatë është kthyer në të dhunshme pasi mijëra policë dhe demonstrues janë përleshur në Stamboll pasi turma është munduar të sfidojë një ndalesë qeveritare për të marshuar në Sheshin Taksim të këtij qyteti.

Forcat e sigurisë kanë shtyer prapa demonstruesit duke e përdorur topa uji dhe gaz lotsjellës.

Protestuesit janë përgjigjur duke e gjuajtur policinë me gurë dhe duke hedhur fishekzjarre.

Policia ka bërë disa arrestime ndërsa protestuesit kanë bllokuar disa rrugë afër sheshit duke djegur kovat e plehërave.

Disa janë parë se si ndezin fishekzjarre dhe i gjuajnë ato në drejtim të policisë.

Qeveria turke ka urdhëruar që rreth 10 mijë policë të dalin në dhe përreth sheshit Taksim ku policia turke vitin e kaluar ishte përleshur me protestuesit.

Në Iran, mijëra punëtorë iranian kanë demonstruar për 1 Maj në Teheran duke kërkuar përmirësim të kushteve, ndërsa është protestuar edhe kundër të huajve që sipas tyre po iu marrin vendet e punës.

Agjencia gjysmë zyrtare iraniane e lajmeve, ILNA, raporton se demonstruesit janë mbledhur në qendër të Teheranit afër zyreve të punës.

Disa prej sloganeve thonin “punësimi i të huajve nënkupton largimin nga puna të iranianëve”.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, raporton se papunësia në Iran arrin në 10 %.

Në këtë shtet punojnë rreth 1 milionë afganë, të cilët janë kryesisht të angazhuar në rindërtim dhe bujqësi.

Në Moskë, dhjetëra mijëra punëtorë kanë marshuar në Sheshin e Kuq megjith të reshurat dhe motin e ftohtë.

Në vend të flamujve të kuq me çekanin dhe drapërin e Komunizmit që janë përdorur në epokën sovjetike, marshuesit kanë përdorur flamuj të kaltër të partisë që e dominon kremlinin dhe flamurin shtetëror rus.

Megjithë krizën ekonomike që është duke rënduar klasën punëtore, raportohet se gjatë marshimit ka pasur pak apo fare kritika ndaj presidentit Vladimir Putin dhe qeverisë së tij.

Pjesëmarrësit kanë thënë se marshimi i 1 majit ka traditë që shkon deri të fëmijëria e tyre.

Nostalgjia sovjetike është mbushur me ndjenja patriotike në kohën kur po afrohet edhe shënimi i 70 vjetorit të fitores së sovjetikëve ndaj nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore me 9 maj.

Partia komuniste ruse e ka mbajtur një marshim të ndarë me sloganin, “kundër fashizmit dhe në përkrahje të Donbas” derisa pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për t’iu dhënë më shumë përkrahje separatistëve që po luftojnë forcat qeveritare ukrainase në pjesën lindore të Ukrainës.

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG