Ndërlidhjet

Për tre muaj, 190 raste me kancer


Ilustrim
Ilustrim

Në tremujorin e parë të vitit 2015, janë diagnostikuar rreth 190 raste të reja të të prekurve me kancer. Këtë e bën të ditur Ekrem Hyseni, ushtrues detyre në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Me analizën që e kemi bërë, në tremujorin e parë të këtij vitit, numri total i rasteve të reja është 190 të prekur me kancer. Ky numër, nëse e krahasojmë me dy vitet paraprake, është pothuajse i njëjtë. Nuk kemi shtim të dukshëm të të prekurve me sëmundjen e kancerit”, thotë Hyseni.

Bazuar në të dhënat e fundit rreth incidencës dhe vdekshmërisë së lartë në mbarë botën nga kjo sëmundje, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, kanë miratuar Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, i hartuar nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit të Kosovës.

Ky plan, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka për qëllim zvogëlimin e incidencës së kancerit, ku objektiv kryesor ka parandalimin, zbulimin e hershëm dhe skriningun, diagnostikimin, trajtimin specifik multidisiplinar, trajtimin paliativ dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur.

Ndërkaq, në lidhje me furnizimin me terapi dhe atë se cilat janë listat e pritjes së pacientëve në Institutin Onkologjik, Hyseni tregon më shumë:

Aktualisht, Instituti Onkologjik ofron shërbimin e radioterapisë, kimioterapisë dhe terapisë invasive. Furnizimi me citostatikë është i mirë dhe nevojat e pacientëve mbulohen nga 85 deri në 90 për qind. Lista e pritjes në radioterapi mund të them se është anuluar. Kemi të bëjmë vetëm me një listë të planifikimit. Dhe, kjo listë nënkupton që çdo pacienti i bëhet plani se kur duhet të fillojë terapinë dhe zgjat më së shumti deri në tri javë”.

Shërbimi i kimioterapisë në fillim të vitit është karakterizuar me mungesa të mëdha të citostatikëve, por përmirësimi ka filluar në muajin shkurt dhe pastaj ky përmirësim ka vazhduar, bën të ditur Hyseni.

Ndryshe, në tremujorin e parë të vitit 2015, në Institutin e Onkologjisë, janë ofruar 21. 752 shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thuhet se shpenzimet spitalore të barit të kancerit janë duke dëmtuar edhe ekonomitë e vendeve më të pasura dhe janë përtej mundësive të vendeve në zhvillim, si dhe po krijojnë barrë të papërballueshme për sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në Shoqatën e onkologëve në Kosovë thonë se janë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e numrit të të prekurve me kancer.

Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së onkologëve, jep më shumë hollësi:

“Duke e pasur parasysh që popullata në Kosovë është në moshë të re, mund të themi se kemi një rritje indikative të rasteve me kancer në vend. Faktorët janë të ndryshëm, duke filluar nga mënyra e jetës, si ushqyeshmëria, faktorët gjenetikë si faktorë shumë të rëndësishëm, pastaj ambienti i ndotur etj”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se për këtë vit janë ndarë 5 milionë euro për trajtimin e sëmundjeve malinje. Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, shpjegon:

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet programit të veçantë ndan mjete të caktuara për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet malinje. Vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 7 milionë euro për këtë sëmundje. Ndërkaq, për këtë vit në bazë të planifikimit që ka bërë Instituti Onkologjik, janë ndarë 5 milionë euro për citostatikë”.

“Ne besojmë se me planifikim të mirë dhe shfrytëzim racional të citostatikëve, e edhe të përshkrimit me protokolle të veçanta, do të arrijmë t’i mbulojmë deri në 90 për qind të rasteve”, thotë Krasniqi.

Rastet më të shpeshta të diagnostikimit të tumoreve, janë ato të tumoreve të gjirit. Në tremujorin e parë të vitit 2015, nga 190 raste të reja të diagnostikuara me kancer, prej tyre 52 janë tumore të gjirit, 35 tumore të sistemit respirator, 32 tumore të traktit gastroendestinal, 39 tumor e traktit urogjenital dhe tumore gjinekologjike dhe 32 tumore të sistemeve të tjera, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

XS
SM
MD
LG