Ndërlidhjet

Qeveria shpërfill kërkesat, opozita paralajmëron protestë


Prishtinë...
Prishtinë...

Dy partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë paralajmëruar se sërish do të organizojnë protesta, pasi që Qeveria e Kosovës, nuk ka bërë asnjë lëvizje pas adresimit të disa kërkesave nga protesta e fundit.

Partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën më 18 prill, kanë mbajtur një protestë me kërkesa kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, kundër kontrollit shtetëror mbi transmetuesin publik, Radio-Televizionin e Kosovës, kundër uzurpimit të sistemit gjyqësor dhe kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar të shtunën se Qeveria e Kosovës, ka një program qeverisës që do të zbatohet dhe nuk do të merret me atë çka thotë opozita.

“Asnjë afat nuk na bën përshtypje, sepse programi nuk mund të afatizohet në dy javë apo tre javë. Asnjë veprim nuk do ta bëjmë në bazë të ultimatumeve. Do të punojmë në mënyrë stabile, ashtu siç jemi duke punuar dhe në mënyrë stabile do ta çojmë mandatin deri në fund”, ka deklaruar Mustafa, deri sa i ka bërë një vizitës Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2015”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se Qeveria e Kosovës, jo vetëm që nuk i ka adresuar kërkesat, por ka vazhduar me avazin e vjetër duke e forcuar, siç është shprehur ai, “kapjen e shtetit”.

Ymeri, duke folur në një konferencë me gazetarë, ka theksuar se protesta mbetet e vetmja zgjidhje për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Në këtë drejtim, është e domosdoshme që të intensifikohen aksionet dhe veprimet politike, në mënyrë që ky shtet i Kosovës të çlirohet nga kapja dhe institucionet e Kosovës t’i kthehen interesit të qytetarëve. Natyrisht që qeveria e kapjes nuk mund të jetë edhe qeveri e republikës, ndërkohë që qytetarët e organizuar janë fondamenti i republikës”, është shprehur Ymeri.

Edhe përfaqësues nga partia politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë se afati dyjavor për Qeverinë e Kosovës, që të nisë implementimin e kërkesave të dala nga protesta e fundit, ka skaduar dhe se sipas tyre, deri tash nuk ka pasur asnjë ndryshim.

Nënkryetari i kësaj partie, Ahmet Isufi, ka thënë në një konferencë me gazetarë se Qeveria, deri tash nuk ka nisur realizimin e kërkesave dhe kjo, sipas tij, tregon për mospërfilljen e kërkesave të të gjithë qytetarëve.

“Në ditët në vijim do të kemi qëndrimin tonë për protestat e ardhshme. Qeveria nuk po ofron tjetër alternativë, nuk po përgjigjet, madje po injoron dhe po shihet se nuk është e gatshme t’i bëjë veprimet e duhura, prandaj opozita do të bashkohet edhe më shumë dhe qytetarët sigurisht se do të përgjigjen edhe më shumë, sepse kjo është mospërgjigje ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Isufi.

Ai ka shtuar se “organizimi i protestave gjithë popullore ka mbetur si e vetmja mënyrë për të luftuar kapjen e shtetit, uzurpimin dhe zaptimin e shtetit dhe të ardhmes së njerëzve të këtij vendi”.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kishin bojkotuar vazhdimin e seancës plenare të 16 prillit për shkak të mosfutjes si pikë e rendit të ditës diskutiminpër peticionin me mbi 30 mijë nënshkrime kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

XS
SM
MD
LG