Ndërlidhjet

Bilanci i përplasjes së protestuesve me policinë në Shkup


Gjatë përleshjes mes protestuesve dhe forcave të policisë para qeverisë së Maqedonisë të martën, janë lënduar tridhjetë e tetë zyrtarë policorë, gjashtë prej të cilëve kanë marrë lëndime më serioze, dhe një civil, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska.

Protestat kanë shpërthyer të martën pasdite, menjëherë pas konferencës për shtyp të liderit të opozitës, Zoran Zaev, i cili publikoi incizime të reja, duke i quajtur si "dëshmi të reja të aferës së përgjimeve", ndërsa kishin të bënin kryesisht me vrasjen e një të riu maqedonas, në vitin 2011.

“Janë prangosur 30 demonstrues në mesin e të cilëve edhe dy adoleshentë, të cilët ishin të përfshirë në shkaktimin e më shumë dëmeve materiale, si dëmtimin e shtatë veturave të policisë dhe mjete tjera“, ka theksuar Jankullovska, sipas së cilës masat e policisë kanë qenë legjitime.

Ministrja Jankullovska tha se policia ka qenë e detyruar të shpërndajë masën në tri drejtime, ndërsa një pjesë e saj ka tentuar që të fshihet në objekte private.

Ndërkohë, edhe burimet spitalore bëjnë të ditur për policë të lënduar gjatë protestave.

“Pesëmbëdhjetë policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 6 prej të cilëve janë hospitalizuar, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë në kokë, stomak, këmbë", bën të ditur drejtoresha e spitalit të qytetit të Shkupit Jasminka Çabukoska Radullovska .

Por, partia maqedonase në opozitë Lidhja Social-Demokrate, ka theksuar se forcat policore maqedonase të sigurisë me urdhër të kreut të Qeverisë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve të Maqedonisë, të cilët dolën për të shprehur revoltën e tyre përmes protestave.

“Përmes urdhërit që të ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve, të cilët dolën për të protestuar, kryeministri Nikolla Gruevski tentoi për herë të dytë që të fshehë të vërtetën rreth vrasjes së të riut Martin Neshkoski”, ka theksuar Petre Shilegov zëdhënës i LSDM-së.

Për partinë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, e drejta e protestës është e garantuar me Kushtetutën e Maqedonisë.

Por, siç ka theksuar Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së, protestat duhet të jenë të qeta dhe të mos eskalojnë në dhunë.

“Me shumë rëndësi është që protestat të mos jenë të dhunshme, mos të dhunohet liria e askujt dhe njëherësh mos të shkaktohen dëme materiale mbi pronën publike”, thekson Osmani.

Ndryshe, përmes rrjeteve sociale, më shumë organizata joqeveritare kanë njoftuar se protestat spontane kundër brutalitetit të policisë në Shkup do të vazhdojnë për çdo ditë.

Shefi Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Ralf Breth përmes një komunikate me shkrim ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me protestat e djeshme para godinës qeveritare në Shkup.

“E drejta për tubim dhe protestë paqësore është e drejtë e garantuar kushtetuese e të gjithë qytetarëve në vend. Megjithatë, protestat e këtilla nuk duhet të shëmtohen nga dhuna,” thekson në komunikatën për mediat ambasadori Ralf Breth.

Ai njëherësh u ka bërë thirje autoriteteve të vendit, të gjithë aktorëve politik, si dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoni të tregojnë maturi, të sillen me përgjegjshmëri dhe të përmbahen nga shpehja e çfarëdo lloj dhune.

“Çdo qytetarë duhet të jetë në gjendje për të shprehur mendimin e vet dhe duhet ta bëjë atë në mënyrë paqësore dhe të përgjegjshme, ndërsa forcat e sigurisë duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre dhe të sigurojnë ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë publike. Mirëpo, policia duhet të veprojë në mënyrë profesionale dhe adekuate duke respektuar plotësisht të drejtat individuale të pjesëmarrësve në protestë", thuhet në komunikatë.

XS
SM
MD
LG