Ndërlidhjet

Të vegjlit “punëtorë”, mbajtës të familjes


Fëmijë duke bartur hekura për shitje(Foto nga arkivi)
Fëmijë duke bartur hekura për shitje(Foto nga arkivi)

Jo rrallë herë nëpër rrugët e Prishtinës, por edhe në qytete tjera të Kosovës, rastis të shohësh fëmijë, të cilët kërkojnë lëmoshë apo punojnë punë nga më të ndryshmet.

Ata thonë se gjendja e rëndë ekonomike në familjet e tyre i ka detyruar që të bëhen “punëtorë” në fëmijëri.

Numri më i madh i fëmijëve janë në moshën e arsimit të detyrueshëm. Një fëmijë 12 vjeç, i cili shiste cigare në qendër të kryeqytetit të Kosovës, thotë se me paratë e fituara ndihmon familjen e tij.

Ai nuk dëshiron të tregojë se a vijon mësimin, por shkurt tregon punën që bën.

“Unë shes cigare, i ndihmoj familjes sime. Nganjëherë fitoj më shumë e nganjëherë pak”, thotë ai.

Puna që bëjnë fëmijët, nënkupton shkeljen e të drejtave të tyre dhe është e ndaluar me konventën ndërkombëtare.

Ndryshe, autoritetet kompetente në Kosovë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kanë identifikuar 206 fëmijë, të cilët janë angazhuar në punë që konsiderohen të rënda për moshën e tyre.

Bajram Kelmendi, kryesues i Divizionit të Shërbimeve Sociale, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se gjatë kësaj periudhe qendrat për punë sociale në komunat e Kosovës, kanë arritur që t’i largojnë nga format e rënda të punës 46 fëmijë, të cilët janë kthyer në procesin e rregullt mësimor.

Kelmendi, ndërkaq, thotë se një numër i fëmijëve që punojnë, braktisin shkollën, mirëpo ka raste të tilla që fëmijët punojnë pas përfundimit të orarit mësimor në shkollë.

“Çdo rast është i veçantë, nuk ka një formulë të përgjithshme që është karakteristike për të gjithë, por ka raste të mjaftueshme kur ndërpresin shkollën. Gjithashtu, ka edhe raste kur fëmijët shkojnë në shkollë dhe pas orarit të mësimit, punojnë forma të rënda të punës”.

Kjo është karakteristike sidomos te fëmijët që punojnë në bujqësi familjare. Por, janë punë të rënda, sepse edhe në këtë fushë janë disa forma të punës, të cilat nuk janë të lejuara për moshën dhe ngritjen psikofizike që kanë fëmijët”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Por, në një hulumtim të Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Fëmijë,(KOMF), të quajtur “A po arrijnë te fëmijët në nevojë paratë e taksapaguesve?”, si shqetësim paraqitet varfëria te fëmijët, e që më pas ka ndikim negativ në zhvillimin fizik, psikologjik dhe social të tyre.

Në këtë hulumtim, po ashtu, thuhet se varfëria e fëmijëve llogaritet si një ndër faktorët potencial për zhvillimin e fenomeneve negative siç janë: braktisja e shkollës, shfrytëzimi, trafikimi, kërkimi i lëmoshës, puna e fëmijëve, delikuenca dhe sjelljet e tjera asociale.

Sipas ligjeve në fuqi, fëmijët anëtarët e familjes së të cilëve nuk punojnë dhe janë të regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit, gëzojnë nga 40 deri 105 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Kurse, viteve të fundit çdo fëmijë merr 5 euro shtesë.

Muhamet Gjoci nga Departamenti për skemat sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale tregon kriteret që duhet përmbushur në bazë të ligjit për të përfituar asistencë sociale.

“Në fakt, në asistencën sociale kemi përmendur disa herë dy kategori të shfrytëzuesve të ndihmave sociale. Kategoria e parë - ku të gjithë (anëtarët e familjes) janë të varur, asnjëri prej tyre nuk mund të kontribuojë dhe të sjellë të mira materiale në shtëpi. Ndërsa, në kategorinë e dytë hynë familjet që kanë njerëz të aftë për punë, por për ndonjë arsye kanë rënë në gjendje sociale dhe që kanë fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Për arsye se nuk mund t’i përcjellim të gjithë të papunët në Kosovë me ndihma sociale”, shpjegon Gjoci.

Por, në hulumtimin e organizatës KOMF thuhet se shuma e ulët e asistencës sociale për familjet në kushte të rënda, bëjnë që këtyre fëmijëve t’u mungojnë gjërat elementare për jetë, duke llogaritur edhe ushqimin kualitativ për moshën e tyre.

Ankesa të shumta edhe të kësaj natyre paraqiten edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se ankesat e tilla në të shumtën e rasteve i referohen çështjes së ndërprerjes së ndihmave sociale familjeve, pasi fëmijët arrijnë moshën pesë vjeçare, të drejtës për përkrahje materiale, familjeve që në përkujdesje kanë fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, si dhe strehimit.

XS
SM
MD
LG