Ndërlidhjet

Gjermania dhe Rusia synojnë përmirësimin e marrëdhënieve


Presidenti rus,Vladimir Putin (djathtas) dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Presidenti rus,Vladimir Putin (djathtas) dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë biseduar të dielën në Moskë, pasi kanë vënë kurora me lule te Varri i Ushtarit të Panjohur.

Vizita e Merkelit në kryeqytetin rus është parë si një gjest kompromisi.

Merkel, ashtu si dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, ka bojkotuar paradën ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës - e cila është mbajtur më 9 maj, për të shënuar 70-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore - për shkak të rolit të Rusisë në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Luftimet në këtë zonë midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë janë duke vazhduar, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim.

Konflikti ka lënë të vrarë mbi 6,100 njerëz prejse ka nisur në prill të vitit të kaluar.

“Kemi mësuar nga përvoja e hidhur e historisë sonë se është e nevojshme të punojmë së bashku, të bashkëpunojmë edhe për situata të vështira, siç është situata aktuale, dhe të bëjmë përpjekje që të gjejmë zgjidhje diplomatike”, ka thënë Merkel.

Sipas saj, forcat sovjetike kanë duruar sakrificat më të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Putin, në anën tjetër, ka bërë thirrje për zgjidhje të shpejtë të “problemeve” midis Rusisë dhe Gjermanisë.

“Ka disa probleme sot (në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Gjermanisë). Sa më shpejt që këto probleme të pushojnë, ashtu si dhe efekti i tyre negativ në zhvillimin e marrëdhënieve tona, aq më mirë. Ne e synojmë këtë”, ka thënë Putin.

Ai ka shtuar se marrëveshja për armëpushim në lindje të Ukrainës nuk ka alternativë.

Dy liderët kanë biseduar po ashtu për marrëdhëniet e Moskës me Bashkimin Evropian, i cili ka vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë.

Putin, edhe në muajin shkurt, ka pritur Merkelin dhe presidentin e Francës, Francois Hollande, për të biseduar rreth krizës në Ukrainë.

Në muajt e fundit, Merkel ka luajtur një rol të rëndësishëm për këtë krizë, duke vepruar si ndërmjetëse midis Kremlinit të izoluar dhe Perëndimit.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për organizimin e konfliktit separatist në lindje të Ukrainës dhe për armatosjen e rebelëve pro-rusë, ndonëse Moska i hedh poshtë këto akuza.

Të shtunën, Putin ka shpërfillur mospraninë e liderëve perëndimorë në paradë dhe ka vlerësuar lidhjet me Azinë, Amerikën Latine dhe Afrikën.

“Të gjithë që kemi dashur t’i shohim, kanë qenë këtu”, ka thënë Putin në një fjalim televiziv.

Para se të takonte Merkelin, Putin ka biseduar edhe me presidentin 91-vjeçar të Zimbabvesë, Robert Mugabe, i cili ka thurur lëvdata për udhëheqësin rus.

“Është e vërtetë që Bashkimi Sovjetik është shpërbërë. Por, Rusia ka mbetur sepse ka qenë bërthama e këtij bashkimi. Ne jemi të lumtur që ju u keni rezistuar dyndjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa”, ka thënë Mugabe në takim me Putinin.(v.tela)

XS
SM
MD
LG