Ndërlidhjet

Kur presidenti çek e prish radhën…


Millosh Zeman
Millosh Zeman

Në festimet për Ditën e Fitores më 9 maj, Rusia ka pritur në Moskë liderë të ndryshëm, nga presidenti i Kubës, Raul Castro, deri te ai i Zimbabvesë, Robert Mugabe, ndërsa presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka qenë njëri prej vetëm dy kryerëve të shteteve të Bashkimit Evropian.

Edhe pse Zeman ka qëndruar larg paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, vizita e tij ka qenë një befasi e mirë për Kremlinin. Pasi të gjithë liderët e mëdhenj perëndimorë kanë bojkotuar shfaqjen e armëve, në shenjë proteste kundër ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë, udhëtimi i Zemanit i ka dhënë presidentit rus, Vladimir Putin, shansin për të thënë se ai dhe vendi i tij kanë miq në zemër të Evropës.

Vizita i ka shkaktuar kokëdhembje kryeministrit çek, Bohuslav Sobotka, dhe ka nxitur grindje midis vetë Zemanit dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Pragë. Ashpër ka reaguar edhe shtypi.

Miroslav Kalousek, ish-ministër i Financave i Çekisë dhe anëtar i partisë politike TOP 09, ka thënë se Zeman “është përkulur para një diktatori, i cili kërcënon sovranitetin e Ukrainës”.

Duke shkruar për gazetën Mlada Fronta Dnes, komentatori Mirosllav Koreçki ka thënë se vizita e Zemanit në Rusi ka qenë koreografi nga propagandistët e Kremlinit”.

Putin, i cili ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë ndaluar liderët evropianë për të shkuar në Moskë, nuk ka mundur të fshehë gëzimin për vizitën e Zemanit.

“Dua të them se na vjen mirë që ka ende liderë në Evropë, që janë në gjendje të shprehin mendimin e tyre dhe të ndjekin një vijë të pavarur politike”, ka thënë Putin.

Ai ka shtuar se, falë politikanëve si Zemani, do të ishte i mundur jo vetëm riparimi i marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, por edhe zgjerimi i tyre.

Sipas agjencisë Interfax, udhëheqësi i Kremlinit është interesuar edhe për shëndetin e Zemanit, duke i thënë të heqë dorë nga duhani.

Presidenti çek po ashtu nuk ka kursyer lëvdatat.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia t’i bashkohet BE-së brenda 20 vjetësh. Është krejtësisht e mundur. Ata kanë ekonomi që plotësojnë njëra-tjetrën. Rusia ka nevojë për teknologji moderne dhe Bashkimi Evropian për burime të energjisë”, ka thënë Zeman pas takimit me Putinin.

Zeman po ashtu është ndalur te sanksionet e BE-së kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Moska dhe mbështetjes së Kremlinit për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Në një intervistë për radio-stacionin rus Kommersant, Zeman ka parashikuar se sanksionet e BE-së kundër Rusisë do të hiqen deri në fund të vitit, pasi “lufta civile” në lindje të Ukrainës praktikisht ka marrë fund.

Kjo deklaratë, e cila është cituar gjerësisht nga mediat çeke, ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Sobotka, i cili ka thënë se sanksionet nuk mund të hiqen derisa marrëveshja për armëpushim të mos zbatohet plotësisht.

Përveveç Zemanit, presidenti i vetëm evropian që ka qenë në Moskë, ka qenë ai i Qipros, Nikos Anastasiadis, por lideri çek ka qenë kryesisht në shënjestër të kritikave. Ai ka marrë mbështetje vetëm nga e majta çeke.

“Ka qenë një hap i mirë, sepse pa marrë parasysh nëse e do ose jo, Rusia është një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik”, ka thënë Pavel Kovacik, anëtar i Partisë Komuniste Çeke.

Kabineti i Sobotkës ka miratuar vizitën, vetëm pasi Zemani është zotuar se do të qëndrojë larg paradës ushtarake.

Gazeta çeke Mlada Fronta Dnes ka botuar më 11 maj fotografi të udhëheqësve të tjerë në Moskë gjatë fundjavës, përfshirë Mugaben, Castron dhe presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro – të gjithë këta nga vende, për të cilat kritikët thonë se kanë kredenciale të dyshimta demokratike.

Në kolumnën e tij në Mlada Fronta, komentatori Koreçki ka kujtuar se ka qenë Zemani ai, i cili në vitin 1990 ka propozuar që Çekosllovakia e atëhershme të festojë fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë më 8 maj “për të qëndruar larg nga mbetjet e Stalinit”.

Në Moskë, Zeman ka qenë sfidues, duke thënë se ka udhëtuar në Rusi për të mbrojtur interesat e Republikës Çeke dhe jo për të zgjidhur problemet e botës, pasi ai “nuk është sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG