Ndërlidhjet

Kerry: Nëse zbatohet armëpushimi, mund të tërhiqen sanksionet


John Kerry
John Kerry

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë se të gjitha palët në konfliktin në Ukrainë duhet t’i parandalojnë shkeljet e armëpushimit të arritur në Minsk të Bjellorusisë, në mënyrë që Perëndimi do të mund të fillonte tërheqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Nëse dhe kur Minsku të implementohet tërësisht, është e qartë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mund të fillojnë të tërhiqen”, tha John Kerry, në konferencën për shtyp me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, pas bisedimeve të tyre në pushimoren ruse Soçi në Detin e Zi, më 12 maj.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë në Ukrainë nga ana e Moskës dhe për mbështetjen e Rusisë për kryengritësit në pjesën lindore të Ukrainës, ku prej prillit të vitit të kaluar janë vrarë më tepër se 6,100 persona.

Kjo ishte vizita e parë e zotit Kerry në Rusi, prej se ka filluar kriza në Ukrainë.

Zyrtari i lartë amerikan tha se “urgjentisht nevojitet” që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të bashkëpunojnë për t'u konfrontuar me sfidat globale, përfshirë vazhdimin e luftimeve ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës.

Në këtë kuadër Kerry tha se ka shprehur shqetësim për gjendjen në këtë pjesë të Ukrainës, duke theksuar se “mbështetja në forcë nga secila palë në këtë kohë mund të jetë ekstremisht shkatërruese”.

“Po ashtu, i kam bërë të qarta shqetësimet tona lidhur me situatën në terren”, tha John Kerry, i cili është takuar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Raportet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar shumë pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, më 24 mars të vitit të kaluar.

Perëndimi dhe Kievi, po ashtu, e akuzojnë Rusinë për armatimin e separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës dhe për dërgimin e trupave atje. Moska i kundërshton këto akuza.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska dhe Uashingtoni janë pajtuar për shmangien e hapave që më tutje mund t’i dëmtojnë raportet ndërmjet dy vendeve.

Megjithatë, ai është shprehur se mbesin disa dallime të caktuara ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për krizën në Ukrainë.

“Ekzistojnë dallime të caktuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, lidhur me gjenezën e krizës dhe vlerësimin aktual të zhvillimit të saj. Pavarësisht nga kjo, ne ishim absolutisht unikë për nevojën e zgjidhjes së këtij problemi vetëm me mjete paqësore, nëpërmjet implementimit të plotë dhe gjithëpërfshirës të marrëveshjeve të Minskut”, tha Sergei Lavrov.

Sipas tij, diskutimet kanë ndihmuar që Moska dhe Uashingtoni më “mirë ta kuptojnë njëri-tjetrin”.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se ka pasur “diskutime të sinqerta me presidentin Putin dhe me ministrin e jashtëm Lavrov, për çështjet kryesore, përfshirë bisedimet me Iranin, Sirinë dhe Ukrainën”.

Në rrjetin Twitter, duke iu referuar takimeve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov, në Soçi të Rusisë, zoti Kerry theksoi se është “e rëndësishme që të mbahen të hapura linjat e komunikimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, derisa ne i shqyrtojmë çështjet globale sfiduese”.

Këshilltari në presidencën ruse, Yury Ushakov, u tha gazetarëve se bisedimet më 12 maj, ndërmjet sekretarit Kerry dhe Putinit, ishin “të hapura” dhe “krejtësisht miqësore”, por ka shtuar se diskutimet nuk kanë sjellë ndonjë kthesë madhore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG