Ndërlidhjet

Rritet numri i qytetarëve të pickuar nga rriqrat


Problemi mjedisor me të cilin është ballafaquar Kosova prej vitesh, me pickimin e rriqrave dhe ethet hemorragjike, sipas profesionistëve shëndetësorë, është bërë një problem kronik.

Tashmë vetëm në Komunën e Malishevës janë pickuar 211 qytetarë nga rriqrat.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, Besim Zogaj, tregon për rritjen e numrit të qytetarëve që janë pickuar nga rriqrat.

"Deri ditën e mërkurë, kemi 211 raste që kanë kërkuar ndihmë për largimin e rriqrave, ku 9 prej tyre janë udhëzuar në klinikën infektive në QKUK. Kohëve të fundit ka filluar të rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë. Ne jemi të furnizuar mjaftueshëm me material të nevojshëm, që t'i dalim në ndihmë qytetarëve të pickuar nga rriqrat".

Në zonat e identifikuara endemike me rriqra si Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina, tashmë është kryer faza e parë e spërkatjes, dhe është duke ndodhur faza e dytë e repelimit të kafshëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku futet edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemoragjike.

Si rezultat, vitin e kaluar nuk ka pasur vdekje të personave nga ethet hemorragjike, "krime kongo".

Ndryshe, nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hamdi Ramadani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata epidemiologjike sa i përket etheve hemoragjike është nën kontroll, dhe pacientët e shtrirë në këtë klinikë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

"Në klinikën infektive i kemi 9 pacientë të shtrirë të cilët janë pickuar nga rriqrat. Situata është e mirë. Janë të regjionit të Malishevës, Drenasit dhe Rahovecit".

"Sa i përket terapisë jemi të furnizuar, por këta pacientë nuk kanë marrë terapi , pasi që janë vetëm të pickuar dhe nuk kanë shenja klinike për ethe hemorragjike. Ne kemi mobilizuar me ekipet e mjekëve, por nuk besoj se situata do të lëvizë jashtë kontrollit", shton Ramadani.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka deklaruar se do të përcillet nga Instituti Kombëtar, çdo pickim i dyshimtë dhe do të bëhet diagnostikimi i saktë për të gjitha rastet e sëmundjes.

Sidoqoftë, zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se këtë vit, gjithashtu është punuar edhe në vetëdijësimin e popullatës, gjë që konsiderohet si shumë e rëndësishme në uljen e numrit të njerëzve që pickohen nga rriqrat.

XS
SM
MD
LG