Ndërlidhjet

Jahjaga kërkon hetim transparent për Kumanovën


Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje që për ngjarjet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, të bëhet një hetim kredibil dhe transparent.

Ishte presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ai i cili e bën Kosovën përgjegjëse për zhvillimet tragjike në Kumanovë, ku si pasojë e përleshjeve ndërmjet një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase, është thënë se kanë mbetur të vrarë 22 persona.

Për këto zhvillime, Ivanov ka alarmuar edhe shtetet tjera botërore.

Ndërkaq, zëdhënësi i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka deklaruar se palët në Maqedoni duhet të përmbahen nga dhuna në mënyrë që të krijohen mundësi për një hetimi të hollësishëm.

“Presidentja Jahjaga në vazhdimësi të zhvillimeve në Maqedoni ka mbajtur komunikim të rregullt me bartësit tjerë të institucioneve relevante në Kosovë dhe ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke kërkuar nga palët të përmbahen nga dhuna”, ka thënë Vllahiu.

Sipas tij, presidentja Jahjaga "ka bërë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve në Maqedoni dhe ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për ofrim të ndihmës në zbardhje të plotë të zhvillimeve në qytetin e Kumanovës”.

Njëherësh, Jahjaga, ka vijuar Vllahiu, kërkon që të zbatohet Marrëveshja eOhrit, në mënyrë që shqiptarët e Maqedonisë të trajtohen të barabartë me komunitet tjera.

“Ripërsërisim edhe njëherë faktin se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën euroatlantike, që ndërton dhe respekton marrëdhëniet e mira fqinjësore si një parakusht i integrimeve”, ka thënë Vllahiu.(z.gashi)

XS
SM
MD
LG