Ndërlidhjet

Tartarët e Krimesë shënojnë 71 vjetorin e dëbimit


Gjatë shënimit të përvjetorit të 71 në Ukrainë.
Gjatë shënimit të përvjetorit të 71 në Ukrainë.

Tartarët e Krimesë në Ukrainë janë duke e shënuar 71 vjetorin e dëbimeve masive, të urdhëruara nga lideri sovjetik, Josef Stalin, vendim ky që çoi deri te dëbimi i 200 mijë njerëzve dhe mori jetën e mijëra tartarëve.

Organizatorët kanë mbajtur një ceremoni të veçantë me titutllin, “Unë Jam Tartar nga Krimea”, në parkun ‘Holossivskiy’ në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev për të kujtuar viktimat e dëbimit.

Ngjarja është organizuar nga aktivistët tartarë të Krimesë dhe Instituti për Shoqëri Civile dhe Zhvillim të Demokracisë.

Organizatorët kanë thënë se qëllimi i këtij organizimi është "të përkujtohen tartarët e Krimesë që vdiqën gjatë dëbimit në Azinë Qëndrore, diçka që filloi më 18 maj të vitit 1944, dhe të nderojmë ata që e humbën jetën gjatë dhe pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në mars të vitit të kaluar".

Disa tenda janë vendosur në park për njerëzit që janë mbledhur për të marrë pjesë në ceremoninë e lutjeve dhe përkujtimit, si dhe për të dëgjuar historitë e njerëzve që i kanë mbijetuar deportimeve të epokës së Stalinit, dhe që vitin e kaluar kanë qenë të detyruar të largohen nga Krimea për të shkuar në pjesë të tjera të Ukrainës.

Mustafa Dzhemilev, lideri veteran i tartarëve dhe ligjvënës, por edhe i dërguar i presidencës ukrainase, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është planifikuar edhe mbajtja e një koncerti special në sallën e Operas Kombëtare të Kievit për të shënuar ditën e deportimeve.

Ngjarjet që përkujtojnë dëbimin e tartarëve të Krimesë janë mbajtur në tërë Ukrainën prej 16 majit.

Më 14 maj, ligjvënësit e Ukrainës e kanë aprovuar një ligj që e shënon 18 majin si Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Dëbimit të Tartarëve të Krimesë.

Ministria e Arsimit e Ukrainës, iu ka rekomanduar shkollave në tërë vendin që të paktën një orë mësimore më 18 maj t’ia kushtojnë dëbimit të tartarëve të Krimesë dhe grupeve të tjera etnike të gadishullit për në Azinë Qëndrore.

Në maj të vitit 1944, dikatori sovjetik, Josef Stalin kishte urdhëruar shpërnguljen e 180 mijë tartarëve të Krimesë, që përbënin rreth një të pestën e popullatës së Krimesë, me akuzën se ata kishin bashkëpunuar me okupatorët nazist.

Dhjetëra mijëra të dëbuar kanë vdekur përgjatë rrugës apo menjëherë pas arritjes në Azinë Qëndrore.

Shumë të deportuar apo fëmijët e tyre, janë kthyer në Krime në fund të viteve të 80-ta dhe gjatë viteve të 90-ta, mirëpo grupet e të drejtave thonë se ata janë përballur me diskrimin dhe abuzime prejse Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë në mars të vitit të kaluar.

Shumë tartarë janë gjetur të vdekur prejse Moska e aneksoi Krimenë, veprim ky që u dënua nga komuniteti ndërkombëtar.

Shumë aktivistë të tartarëve janë arrestuar, derisa Dzhemilev dhe Refat Chubarov, udhëheqësi i trupit vetqeverisës të tartarëve të Krimesë, ‘Mexhlisi’, iu është ndaluar hyrja në Krime nga liderët rusë të vetshpallur të gadishullit.

Në prill, autoritetet e përkrahura nga Moska në Krime e kanë mbyllur edhe një televizion të tartarëve të Krimesë dhe mediave të tjera të lidhura me atë televizion.

Shumica e tartarëve të Krimesë e kundërshtojnë aneksimin rus të Krimesë, që u bë pas okupimit nga forcat speciale ruse dhe një referendumi të organizuar me ngut.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG