Ndërlidhjet

Ligjet e aprovuara, vetëm në letër?


Ilustrim
Ilustrim

Në fushën e shëndetësisë nuk mungojnë ligjet, por zbatimi i tyre. Në Ministrinë e Shëndetësisë janë gjithsej 22 ligje të aprovuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ndonëse ligjet në fushën e shëndetësisë të hartuara viteve të fundit, paraqesin një bazë të mirë në reformën e mëtutjeshme shëndetësore, zbatueshmëria e tyre mbetet për t'u dëshiruar,thonë ekspertët e kësaj çështjeje.

Skender Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë ka thënë se përkundër përpilimit të ligjeve që janë mjaft të avancuara në Kosovë, ato ligje nuk gjejnë zbatim të plotë.

"Ende mbetet shumë për të dëshiruar për t'u arritur një zbatueshmëri e plotë e ligjeve të aprovuara. Ligji për sigurime shëndetësore nuk zbatohet, pastaj Ligji për kontrollin e duhanit, ndonëse ka pasur një arritje të mirë në fillim, zbatimi i tij është zbehur dhe vërehet shkelja e tij në gjithë Kosovën. E njëjta vlen edhe për ligjet tjera, si ligji për Odat Shëndetësore etj.", thotë Skender Syla.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se miratimi i ligjeve në shëndetësi është bërë në baza politike dhe jo profesionale, andaj edhe nuk po mund të gjejnë zbatim.

"Këto ligje as që aplikohen, për shkak që vetë miratimi i tyre është bërë në baza politike dhe jo profesionale. Unë besoj që një kohë të gjatë as që do të aplikohen . Këtu hyn edhe Ligji për shëndetësinë. pastaj ligji për sigurime shëndetësore etj. Gjithmonë ka pasur ndryshime në shëndetësi, ku janë aprovuar ligje dhe nuk kemi asnjë impakt se do të fillojnë së zbatuari", shprehet Blerim Syla.

Zyrtarja ligjore në Ministrinë e Shëndetësisë, Aferdita Hoxha, jep arsyet e moszbatimit të plotë të ligjeve të aprovuara në fushën e shëndetësisë.

"Prej vitit 2003 janë aprovuar 22 ligje, derisa tri janë në procedurë. Sa i përket zbatimit të tyre, varet prej fushave të caktuara dhe përkrahjes në koston financiare. Shumica implementohen, por disa për shkak të ngecjeve të kostos financiare edhe nuk gjejnë zbatim. Sa i përket ankesave, nga ana e qytetarëve ka ankesa, por krijimi i kushteve dhe kostoja ka bërë që të mos mund të zbatohen", bën të ditur Hoxha.

Për mos zbatimin e ligjeve të aprovuara në Kuvendin e Kosovës dhe pasojat që qytetarët e Kosovës i bartin, flet Behxhet Shala, udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut...

"Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore në shëndetësi, por nuk zbatohen sidomos në këtë fushë . Qytetarët janë të privuar nga e drejta elementare: sigurimet shëndetësore; ndonëse është miratuar, nuk gjen zbatim".

"Kemi situatën kur shumë qytetarë të Kosovës japin para të shërohen jashtë vendit, gjithashtu edhe institucionet ndajnë mjete për shërim jashtë vendit, derisa moszbatimi i ligjeve e ka rrezikuar skajshmërisht shëndetin publik, sidomos tëatyre që nuk kanë mundësi shërimi jashtë vendit. Gjitha premtimet e ministrave të shëndetësisë, janë më tepër që lënë për të dëshiruar se sa një kontribut për zbatimin e ligjeve", thekson Shala.

XS
SM
MD
LG