Ndërlidhjet

Si të vazhdosh jetën kur miqtë të martirizohen?


“Një nga gjërat më të vështira të xhihadit është kur e humbet një mik”, e pranon militanti çeçen i Shtetit Islamik, Musa Abu Yusuf Shishani, në një postim në rrjete sociale të publikuar së fundi.

Musa e përshkruan se si u njoh me një nga militantët me të cilin u miqësua derisa “mbanin kontrolla dhe në betejë”.

“Ai ishte i gatshëm që të hiqte nga vetja rrobat e trasha që t’i jap ty. Ishte i gatshëm të ngrijë nga të ftohti vetëm që ti të jesh ngrohtë”, shkruan Musa.

“Ai ishte i gatshëm që të jepte edhe çokollatën e tij të fundit, Snickers dhe të mbeste vet i uritur...dhe më vonë gjatë ditës, do të uleshit dhe se bashku do të pinit çaj”, shkruan më tej Musa.

Më pas, mëson se ky miku yt ka vdekur dhe ju “shokoheni”.

Musa më pas e përshkruan mërzinë dhe traumën e ndjerë nga luftetarët e Shtetit Islamik kur ktheheni në shtëpi, mbeteni vetëm dhe goditeni nga kujtimet që keni me shokët e vdekur.

“Pasi të ktheheni në shtëpi dhe mbesni vetëm, atëherë të vijnë kujtimet”, sqaron Musa.

“Të gjithë vëllezërit, ata vijnë, të hyjnë në kokë dhe fillojnë të të buzëqeshin. Dhe, sado mundohesh, ata nuk largohen derisa fillon të qash”, shkruan militanti çeçen.

Në sipërfaqe, nuk ka asgjë të pazakonshme në përshkrimet e një militanti të Shtetit Islamik se çfarë ndjesie është të humbasësh një bashkëluftetar në betejë.

Por, të pranuarit se militantët e kanë të vështirë të përballen me humbjet, është në kundërshtim me ideologjinë e ekspozuar nga IS-i dhe grupet e tjera ekstremiste se militantët duhet të kënaqen nga gëzimi rreth “martirizimit” apo vdekjes në betejë.

“Të qënit i mërzitur është kundër normës, e cila thotë se nuk duhet të vajtosh për martirët”, sqaron eksperti i terrorizmit, Thomas Hegghammer, nga organizata daneze për kërkime në fushën e mbrojtjes.

Mesazhi i martirizimit

Koncepti i martirizimit është një pjesë fundamentale e ideologjisë xhihadiste e shpërfaqur jo vetëm nga IS-i, por edhe grupet e tjera islamiste.

Lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr Al-Baghdadi, e kë nënvizuar rëndësinë e martizimit përmes një mesazhi me audio të publikuar javën e kaluar.

Duke recituar një citat nga ‘Sahih al-Bukhari’, një nga librat islame sunite me hadithe, apo të dhëna të traditave dhe thënieve të profetit mysliman, Muhamed, ai thotë: “Do të më pëlqente shumë që të luftojë për Allahun dhe të vritem, dhe më pas të luftojë për Allahun dhe të vritem sërish”.

Sipas doktrinës së IS-it, militantët duhët të kërkojnë martirizim dhe ta shijojnë atë.

“Zoti kërkon që njerëzit të bëhen martir. Prandaj, militantët tentojnë të bëhen të lumtur”, thotë Hegghammer.

Mirëpo, siç e shpërfaqë mesazhi i Musas, ekziston një mosmarrëveshje në mes të ideologjisë së IS-it rreth martirizimit dhe realitetit të jetës së militantëve.

Përpjekjet nga militantët që të pajtohen dhe racionalizojnë me këtë mosmarrëveshje është e dukshme nëpër profilet e rrjeteve sociale të krijuara në Kaukazin Verior.

Trashegimia e një vetvrasjeje

Kur militanti çeçen i Shtetit Islamik, Bilyal al-Shishani e kreu një sulm vetvrasës në Siri në muajin prill, makineria propagandiste e grupit ekstremist është nxituar që ta lavdërojë “martirizimin” e tij në rrjete sociale.

Fotografia e Bilyalit, fytyra e tij e fshehur me një kapelë të zezë që mbulon tërë kokën, ka pasur këtë legjendë: ‘kalorësit e Shahadas’, një term arabik ky që nënkupton deklarimin mysliman të besimit dhe monoteizmit.

Mirëpo reagimet nga militantët çeçenë që kanë luftuar përkrah tij, e tregon se ata e shihnin sulmuesin e ri vetvrasës si person, jo vetëm si një “martir” pa identitet.

Bashkëmilitantët e Bilyalit, e kanë lavdëruar sulmin e tij vetvrasës, por këtë ata e kanë shprehur në formën e kontributit të tij për grupin, pra jo duke thënë se ai thjeshtë ishte një “martir”.

Një militant çeçen me emrin, Iboakhim Beshtoyev, ka thënë se Bilyali “ka vrarë mbi 30 të pafe”, dhe se ai e hodhi vetën në erë në një “pikë kontrolli ushtarake ku kishte shumë të pafe, vend që ishte shumë i rëndësishëm”.

Krahas lëvdatave për veprimet e Bilyalit, ka gjithashtu edhe shenja se shokët e tij të luftës kanë bërë përpjekje që të shprehin mërzinë duke e kujtuar atë si mikun e tyre të vdekur.

Në vend të fotografisë me kapelën që ia mbulon kokën në tërësi, militantët çeçenë e kanë shpërndarë një fotografi me fytyrën e njomë të Bilyalit në të 20-tat e tij.

Në një nga fotografitë, Bilyali shihet duke qëndruar pranë një veture me targa irakiane.

Një tjetër fotografi e tregon atë duke e mbajtur një tufë me lule. Një nga militantët ka shkruar, “gjithë të mirat për të gjithë”.

Militantët gjithashtu e kanë publikuar edhe shënimin me dorë për sulmin vetvrasës të Bilyalit.

“Vëllezër, iu lutem ndani të gjitha gjëerat e mia me vëllezërit, por telefonin tim ia jepni Umarit”, ka shkruar Bilyal në një rusishte të dobët në shënimin e tij të cilin e ka përfunduar me fjalët: “Ju dua të gjithëve, për hir të Allahut”.

“Të gjithë e donin”

Një tjetër mënyrë që militantët e IS-it nga Kaukazi Verior e kanë shprehur merzinë e tyre rreth vdekjes së bashkëluftetarit të tyre është përmes “videove të martirëve”, në të cilat fotografitë dhe videot e luftetarëve të vdekur janë kombinuar dhe shpërndarë për tu parë nga militantët e tjerë.

Sipas Hegghammerit, “videot e martirëve” nuk janë koncept i ri, pasi ato janë bërë prej viteve të 80-ta.

Video të tilla, që shpesh paraqesin pamje filmike të militantëve në jetë, duke e treguar historitë e tyre deri në vdekje, janë “një nga karakteristikat më të qëndrueshme të prodhimeve ideologjike”, thotë Hegghammer.
Në rastin e militantëve të Shtetit Islamik nga Kaukazi Verior, “videot e martirëve” shpesh janë një kombinim fotografish të thjeshta që e tregojnë jetën e një militanti prej para radikalizimit.

Në shumicën e rasteve, videot e tilla përfundojnë me kufomën e militantit.

Në raste të ralla, siç ishte rasti me vdekjen e militantit të njohur çeçen, Ilyas Deniev, në Baiji të Irakut, video e përfshinë edhe një eulogji të lexuar për luftetarin e vdekur.

“Videot e martirëve” të Kaukazit Verior janë shpesh një mundësi për militantët që të shprehin pikëllim si dhe respekt për mikun e vdekur, dhe shpesh përdoren edhe fotografi personale që e shpërfaqin militantin e vdekur si një individ të zakonshëm, dhe jo si “martir”.

Në eulogjinë për Denievin, të titulluar “Fjalë nga Zemra”, lexuesi, Abu Yahsin al-Makhusmi, lavdërohet kontributi i militantit për Shtetin Islamik, duke thënë se ai ka ndihmuar që të përhap ideologjinë e IS-it përmes punës së tij si aktivist medial.

Mirëpo, eulogjia shkon përtej lavdërimit të thjeshtë të Denievit si martir i IS-it.

Aty përfshihen edhe disa pamje, përfshirë një fotografi të Denievit duke e dërguar vajzën e tij për kalërim me kuaj, diçka që s’ka fare të bëjë me “xhihadin”.

“Ky ishte një vëlla që e donin të gjithë që e njihnin”, thotë Makhusimi për Denievin.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG