Ndërlidhjet

Prishtina pret sqarime nga Shkupi


Kumanova pas luftimeve
Kumanova pas luftimeve

Autoritetet e Kosovës ende janë në pritje të konfirmimit zyrtar nga ana e autoriteteve të Maqedonisë, të emrave të personave të vrarë dhe atyre të arrestuar në incidentin e armatosur të Kumanovës, si dhe konfirmimin zyrtar që lejon marrjen e trupave të pajetë të shtetasve të Kosovës, të vrarë në këtë incident.

Gjatë një përleshjeje të armatosur me forcat e rendit në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj, thuhet të jenë vrarë 9 shtetas nga Kosova dhe 21 të tjerë të jenë arrestuar.

Institucionet e Kosovës, kanë organizuar task forcën, e cila po përcjellë vazhdimisht zhvillimet dhe informatat që vijnë nga Maqedonia.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se janë të gatshme që të ofrojnë ndihmë edhe për të arrestuarit, por edhe për çështjen e sjelljes në Kosovë të viktimave që pësuan në incidentin e Kumanovës, e që janë shtetas të Kosovës, si dhe për familjet e tyre.

Deri më tash, Ambasada e Kosovës në Maqedoni ka ndihmuar familjarët e personave të arrestuar në 13 vizita për ta.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se kanë krijuar komisionin që do të bëjë verifikimin, transportin dhe pranimin e personave të vrarë në incidentin e Kumanovës.

Gjithashtu, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se do të jenë të gatshme t’i plotësojnë kërkesat e familjarëve të viktimave, në rast se ato kërkojnë obduksionin e të afërmve tyre të vrarë.

Në anën tjetër, familjarët e personave të përfshirë në konfliktin në Kumanovë, të përkrahur nga organizatat e dala nga lufta në Kosovë, kanë organizuar protestë në Prishtinë, të cilës i janë bashkuar qindra qytetarë të tjerë.

Ata kanë kërkuar që të arrestuarit nga incidenti në Kumanovë, të kthehen në Kosovë, ashtu sikurse edhe trupat e personave të vrarë në konflikt me policinë maqedonase.

Përfaqësuesi i familjarëve të personave të përfshirë në konfliktin në Kumanovë, Taulant Gashi, ka thënë se kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të interesohen për fatin e të afërmve të tyre, dhe se protesta e së mërkurës është shenjë revolte për, siç tha ai, indiferencën e institucioneve të vendit për qytetarët e vet.

“Jemi sot këtu në shenjë solidariteti për djemtë, familjarët dhe shokët tanë, por edhe për t’iu bërë thirrje institucioneve të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, që të angazhohen shpejt për zbardhjen e rastit dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet".

"Ne si familjarë, miq e bashkëluftëtarë, ende nuk e kemi të qartë fatin e tyre. Djemtë tanë po torturohen në mënyrat më çnjerëzore nga regjimi sllavo-maqedonas. Sot, ne terrorizohemi nga mungesa e informacionit, shpifjet dhe propaganda që tregohet për fatin e atyre çlirimtarëve”, tha Gashi.

Gashi ka kërkuar që institucionet e Kosovës veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar, si dhe për identifikimin dhe sjelljen në Kosovë të trupave pa jetë të qytetarëve të saj, që u vranë në incidentin në Kumanovë.

Ndryshe, dy ditë më parë, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se janë duketentuar që të sigurojnë mundësinë që Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut t’i vizitojë të burgosurit në Maqedoni dhe të sjellë një raport para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë kanë kërkuar nga ambasada e Kosovës në Shkup që ta përshpejtojë procesin dhe të sigurohet leja nga autoritetet maqedonase.

“Ne i kemi bërë të gjitha punët që nevojiten. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të shkojmë në çdo kohë. Ambasada na ka kërkuar emrat e ekipit që do të shkoj të vizitojë. I kemi dërguar, emrat, të dhënat e pasaportave, të cilat janë të nevojshme dhe tash jemi në pritje”, theksoi Shala.

Ai ka shtuar se pas incidentit në Kumanovë, institucionet e Kosovës janë gjetur në huti dhe nuk kanë mundur të veprojnë menjëherë, por tashmë ato janë vënë në lëvizje.

Ndryshe, ditën e martë, autoritetet e Maqedonisë kanë konfirmuar se kanë marrë kërkesën nga autoritetet e Kosovës për “sigurimin e listës së personave të vdekur, sigurimin e mundësisë që një grup ekspertësh nga Kosova të bëjë obduksionin e trupave të vdekur, si dhe transportimin e trupave të vdekur nga Maqedonia në Kosovë” .

Autoritetet e Maqedonisë kanë theksuar se kërkesat e Kosovës “do të procedohen me proces të përshpejtuar”.

XS
SM
MD
LG