Ndërlidhjet

VOX: Vendet turistike, të pazhvilluara


Bjeshkët e Rugovës (Pamje nga lojërat tradicionale që mbahen çdo verë në Rugovë)
Bjeshkët e Rugovës (Pamje nga lojërat tradicionale që mbahen çdo verë në Rugovë)

Ndonëse Kosova është një vend relativisht i vogël, megjithatë mund të jetë një destinacion turistik që ofron turizëm veror dhe dimëror.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës ai i Anamoravës, Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, Bjeshkët e Rugovës, janë vetëm disa qendra turistike në Kosovë, në të cilat qytetarët dhe turistë mund ta kalojnë kohën.

Por, sa i frekuentojnë të rinjtë këto vende, dhe sa kanë njohuri për to?

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë disa të rinj të anketuar tregojnë për vendet turistike që ata parapëlqejnë për të t’i vizituar.

Shend Boshnjaku, që studion shkencat kompjuterike, thotë se Kosova ka vende turistike, derisa tregon se cilat vende i viziton më së shpeshti.

“Varet për çka do që t’i shfrytëzosh vendet turistike. Për stinën e verës e kemi Rugovën, për stinën e dimrit e kemi Brezovicën, si një ndër qendrat më të mira në rajon. Unë, personalisht, nuk i vizitoj shumë shpesh, por sigurisht varet prej kohës. Tash, këtë kohë, kam obligime në fakultet dhe kam provime, por sa herë që kam mundësi, shkoj. Këtë dimër me shoqëri kemi qenë në Brezovicë, për pushime dimërore”, tregon Shendi.

Një tjetër student, Rron Nela, tregon për pasionin e tij e që lidhet me vendet turistike dimërore.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

“Unë jam i dhënë pas skijimit. E kam hobi prandaj Brezovicën e vizitoj shumë shpesh”, thotë Rroni.

Arbnor Mehmeti, qytetar, konsideron se vendet turistike në Kosovë kanë nevojë për zhvillim:

“Ka vende turistike. Është Brezovica, Prizreni, Gryka e Rugovës, Drini i Bardhë. Nuk janë të zhvilluara sa duhet, por mendoj se qëndrojnë mirë. Prizreni e ka zënë vendin e 10 në botë për trashëgimi kulturore. Unë i vizitoj kur kemi ekskursione apo diçka të ngjashme”.

Ferdi Kadriun e takuam në njërin nga sheshet në kryeqytet, por që vjen nga Mitrovica. Ai thotë se Kosova ka mjaft vende turistike të bukura, por nuk ka përkushtim të mjaftueshëm nga institucionet e Kosovës.

“Ka vende mjaftueshëm për t’u vizituar. Aq sa kam mundësi i vizitoj. Unë jam nga Mitrovica dhe e vizitoj Shalën e Bajgorës, kemi lumenj andej. E vizitoj edhe Prizrenin, Bogën e Rugovës. Kemi vende mjaft, por nuk dimë t’i shfrytëzojmë. Nuk ka përkushtim sa duhet nga institucionet, përndryshe do t’i kishin shfrytëzuar edhe më shumë”, shpreh mendimin Ferdiu.

Edita Kastrati, studente në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendet që më së shumti i viziton, janë ato përreth vendlindjes së saj, Ferizajt.

“Ne i shfrytëzojmë shumë vendet afër Ferizajt. Shkojmë verës çdo vikend pothuajse në Lepenc apo Jezerc.Edhe Nerodimja na pëlqen dhe e vizitojmë shpesh. Po ashtu edhe në Rugovë shkojmë pasi që na pëlqen shumë”, thotë Edita.

Saranda Rexhepi, studente në Fakulteti e Gazetarisë, veçon bukuritë e Prizrenit, por ajo vlerëson se duhet të investohet më shumë:

“Ka vende turistike, por mendoj se nuk janë edhe shumë të zhvilluara. Prizreni mendoj se është mjaft i pëlqyer dhe mendoj se ishte dashur të investohet më shumë”.

Ndryshe, ekspertët e turizmit, vlerësojnë se Kosova mund të presë turistë nga mbarë bota, pasi që ka vende të shumta për t’i vizituar, por që sipas tyre, problemi qëndron në atë se ky sektor ka mbetur i anashkaluar nga autoritetet e vendit, duke mos i dhënë prioritet sektorit të turizmit.

Ata thonë se vendet turistike janë industria më e fuqishme edhe në vendet në zhvillim dhe është një ndër prioritetet kryesore, derisa shtojnë se në Kosovë është sektori i lënë pothuajse në harresë.

Fatkeqësisht, përveç investimeve individuale në vende të caktuara, dhe disa komunave si ajo e Pejës dhe Prizrenit, pjesë të tjera të Kosovës e kanë shumë pak, për të mos thënë fare të zhvilluar turizmin.

XS
SM
MD
LG