Ndërlidhjet

Kriza politike lë pasoja në ekonominë e Maqedonisë


Kriza politike do të reflektohet negativisht në ekonominë e Maqedonisë, ndërsa efektet negative do të shihen për disa muaj, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.

Sipas tij, nëse kriza politike vazhdon të përshkallëzohet, do të vihet në pikëpyetje rritja ekonomike e projektuar në 4.1 për qind.

Për shkak të krizës së pranishme që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, por edhe më parë, e që ka kulminuar me atë që njihet si aferë e përgjimeve dhe incidentin e armatosur në Kumanovë, investitorët e huaj janë tërhequr nga paralajmërimet për investime në Maqedoni, ndërsa afaristët vendor janë të kujdesshëm gjatë realizimit të planeve investuese.

“Nëse kriza vazhdon të përshkallëzohet, kompanitë do të jenë në gjendje të vështirë, do të kenë ulje të prodhimtarisë së tyre, do të kenë ulje të të ardhurave, por do të jetë të detyruar të ulin edhe numrin e të punësuarve. Ata do ta kenë të vështirë edhe të marrin kredi pasi do të përballen edhe me rritjen e normës së interesit“, thotë Bogov.

Ai tërheq vërejtjen se ulja e investimeve nënkupton edhe ulje të prodhimtarisë, uljen e të ardhurve të kompanive dhe rritje të kredive jofunksionale.

Në një situatë të tillë, kompanitë, siç shprehen ekspertët e ekonomisë, do të jenë të detyruar të ulin edhe pagat mujore të punëtorëve apo të shkurtojnë numrin e tyre.

Izet Zeqiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thoë se stabiliteti politik dhe sundimi i së drejtës janë faktorët kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Për të pasur një biznes të qëndrueshëm duhet pasur një stabilitet politik, të ketë stabilitet juridik dhe stabilitet ekonomik. Ne, në këtë situatë nuk kemi ndonjë stabilitet politik nëse marrim për bazë atë se çfarë ndodhë në jetën politike pas publikimit të aferës së përgjimeve nga lideri i opozitës, Zoran Zaev".

"Kështu që, e gjithë kjo situatë do të reflektohet shumë negativisht dhe sipas vlerësimit tim, në gjashtë mujorin e parë do të kemi rënie ekonomike dhe projektimet makro ekonomike për një zhvillim të qëndrueshëm do të vihen në pikpyetje“, thotë Zeqiri.

Nga ana tjetër, kreu i Bankës Popullore, Bogov, thotë se roli kryesor i institucionit që drejton do të jetë ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe mbajtjen e kursit stabil të denarit, por ai nuk përjashton edhe mundësinë që vendi të hyjë në recesion.

“Në gjysmën e dytë të vitit, ne do të kemi një situatë kur ekonomia e Maqedonisë mund të përballet edhe me recesion, normalisht nëse vazhdon pasiguria politike apo edhe nëse vazhdon të përshkallëzohet. Përvoja tregon se çdo herë që kemi recesion në Maqedoni kemi edhe presione për stabilitetin makroekonomik“, thotë Bogov.

Pavarësisht krizës politike dhe pasojave ndaj bizneseve, qeveria mbetet në parashikimin për rritjen ekonomike prej 4.1 për qind dhe inflacion prej 0.5 për qind.

XS
SM
MD
LG