Ndërlidhjet

Rama e Vuçiq, dallime thelbësore për Kosovën


Pamje nga Pallati i Brigadave në Tiranë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Pamje nga Pallati i Brigadave në Tiranë [Video: Gresa Kraja]

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama, kanë thënë se kanë dallime thelbësore në raport me Kosovën.

Zoti Vuçiq ka arritur të mërkurën në një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke shënuar kështu vizitën e parë të një kryeministri serb në kryeqytetin e Shqipërisë, pas 7 dekadash.

Në takimin e përbashkët me gazetarët, kryeministri Rama tha se “mosdakordësia për Kosovën nuk e zbeh vlerën e dialogut Serbi-Kosovë, që është prolog në marrëdhëniet e reja mes shqiptarëve dhe serbëve”.

Në këtë kuadër ai i ka ofruar mbështetje dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e përshëndetur "kurajon dhe vullnetin e lidershipit të të dyja palëve për të ecur përpara”...

Zoti Vuçiq nga ana e tij, ka thënë se është fakt se Tirana dhe Beogradi nuk pajtohen për Kosovën.

"Serbia e trajton dhe do të vazhdojë ta trajtojë si territor të vetin, kurse Shqipëria e trajton si të pavarur", ka thënë Vuçiq.

Në takimin me gazetarët është përmendur edhe paraqitja e një flamuri në stadiumin e Beogradit, mbi të cilin dukej një hartë e të quajturës “Shqipëri etnike”, gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor të vitit të kaluar. E gjithë ngjarja pati nxitur një klimë tensionesh ndërmjet dy vendeve.

"Ishte një episod i keq për marrëdhëniet tona. Ishte i organizuar politikisht, pasi flamuri i Shqipërisë së Madhe u ngrit për këtë arsye", ka thënë Vuçiq me këtë rast.

Zoti Rama ndërkaq, e ka cilësuar idenë e "Shqipërisë së Madhe", si të promovuar dhe ushqyer "nga ata që nuk ua duan të mirën shqiptarëve".

"Kombi ynë nuk synon zmadhime në kurriz të kurrkujt, por bashkejetesë dhe vetëvendosje. Kemi një projekt; projekti i bashkimit tonë në rugën e Bashkimit Evropian. Duam një Ballkan pa kufij, mes nesh, mes jush e mes popujve të tjerë. Por paqja në rajon është kaq e brishtë sa mund të vihet në rrezik nga një top futbolli".

Vizitë në frymën e përafrimit të dy kombeve

Ndryshe, Rama e cilësoi vizitën e homologut të tij serb si "shenjë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet më pranë njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve".

"Sot kemi mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të rajonit atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten e Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur për të çuar para axhendën e një rajoni pa kufi, ku të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, nga ato historike, tregtare, shoqërore e kulturore, që na kanë penguar ta projektojmë së bashku të ardhmen", ka thënë zoti Rama.

Historia e ndasisë, ka thënë kryeministri shqipar, "është e atillë që e bën sot sfidën e paqes një përgjegjësi të përbashkët edhe ndaj fatit të rajonit të së nesërmes si një i tërë".

"Ngjarjet në Kumanovë vërtetuan edhe njëherë brishtësinë e kësaj paqeje kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan. Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të sajin dhe të shqiptarëve në Maqedoni, po njësoj të të gjithë rajonit e Evropës, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të Maqedonisë", ka thënë mes tjerash kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Homologu i tij serb ka folur për mundësinë e investimeve të Serbisë në Shqipëri dhe rëndësinë e marrëveshjeve të arritura më parë ndërmjet dy vendeve në rrafshin ekonomik dhe atë të arsimit.

"Ne jemi në këtë pjesë të Evropës. Mos të mendojmë se me luftë mund të rregullojmë punët; vetëm me anë të bisedimeve mundemi. Nuk mund të ikim nga e kaluara, por të shikojmë tutje nga ajo. Ne mendojmë ndryshe, edhe deklaratat janë ndryshe, por kjo nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet tona strategjike në të ardhmen. Kemi folur hapur edhe kur nuk kemi patur një mendim të përbashkët", ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Gjatë ditës, Vuçiq është takuar edhe me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

E gjithë vizita është pëcjellur me masa të rrepta sigurie. Raportohet se janë angazhuar rreth 1500 policë që po marrin pjesë në shoqërimin e kryeministri serb.

Ndryshe, vizita e kryeministrit serb në Tiranë pason dy vizitat e zotit Rama në Beograd.

Vizita e parë qe bërë më 10 nëntor të vitit të kaluar dhe takimi kishte përfunduar me përplasje midis dy kryeministrave për çështjen e Kosovës.

Vizita e dytë ishte realizuar më 17 dhjetor të vitit 2014, në kuadër të punimeve të samitit të të Tretë të Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që kishte në agjendë bashkëpunimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG