Ndërlidhjet

Qeveria dërgon në Kuvend amandamentet për FAK-un


Qeveria e Republikës së Kosovës, të mërkurën, me shumicë votash ka marrë vendim që të procedojë në Kuvendin e Kosovës amendamentet për ndryshimet kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kundër kanë votuar anëtarët serb të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se aprovimi në Kuvendin e Kosovës të këtyre amendamenteve kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, por edhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë pakicë në Kuvend.

“Ajo që është esenciale, është që ne nuk po ndërtojmë forca të armatosura mbi baza etnike - as mbi bazë etnike të shumicës shqiptare e as mbi baza etnike të etniteteve të tjera - për të cilat ka pasur trumbetime mjaft të mëdha në opinion tani. Është një forcë unike, në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që përfshin të gjithë pjesëtarët e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, para kabinetit të Qeverisë së Kosovës ka paraqitur amendamentet kushtetuese, duke thënë se ato janë hartuar në përputhje me kërkesat që kanë dalë, si rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë dhe që japin bazën për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Miratimi i amendamenteve kushtetuese do të rezultonte me miratimin e ligjeve për Forcat e Armatosura të Kosovës, me krijimin e bazës ligjore dhe shndërrimin e Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, si dhe njëkohësisht, shndërrimin e FSK në Forcë të Armatosur të Republikës së Kosovës, me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi kombëtar të sigurisë me kapacitete të nevojshme të mbrojtjes”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, nga Lista Serbe, ka theksuar se anëtarët serbë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë mundur të votojnë në favor të vendimit të sotëm të ekzekutivit, duke arsyetuar se ka munguar dialogu më i gjerë lidhur me këtë temë.

“Kemi pritur që të ketë një dialog më të gjerë për këtë temë, por kjo nuk ka ndodhur. Shpresojmë se kjo do të ndodhë, por sot, sigurisht që nuk do t’i mbështesim këto amendamente. Për sa i përket paraqitjes sonë në Kuvendin e Kosovës, shpresoj se do të ketë kohë të mjaftueshme për të biseduar. Në qoftë se kjo mbetet ashtu siç është, atëherë ne edhe në Kuvend do të votojmë kundër”, ka theksuar zëvendëskryeministri Stojanoviq.

Në anën tjetër, kryeministri Mustafa ka theksuar se do të punojnë me përfaqësuesit e komuniteteve që të sigurohen mbështetja e tyre për ndryshimet kushtetuese, lidhur me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Ne, po ashtu, do të punojmë së bashku me të gjithë deputetët dhe me përfaqësuesit e komuniteteve që të kemi pajtueshmërinë e tyre më vonë për aprovim në Kuvendin e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një komunikatë për medie të Listës Serbe është thënë se kjo listë është “kundër amendamenteve kushtetuese” dhe se do të votojë kundër edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në komunikatë thuhet se zëvendëskryeministri Stojanoviq u ka sqaruar anëtarëve tjerë të Qeverisë së Kosovës se populli serb në Kosovë e konsideron të mjaftueshme në këtë hapësirë praninë e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, të cilat kanë për detyrë sigurimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë.

“Çdo formacion tjetër i armatosur, thuajse një etnik, i përbërë nga pjesëtarët e bashkësisë shumicë, në popullin që i takoj, përjetohet si kërcënim dhe rrezik latent për gjithë rajonin”, citohet të ketë thënë Stojanoviq në komunikatën e Listës Serbe.

Ndryshe, në mandatin e kaluar, Qeveria e Kosovës, me 6 mars të vitit 2014, i pati propozuar Kuvendit të Kosovës ndryshimet kushtetuese.

Në prill të vitit 2014, me kërkesën e qeverisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese i kishte cilësuar në harmoni me kushtetutën amandamentet për themelimin e Forcave të Armatosura.

Por, më pas, miratimi i tyre në Kuvend, pati dështuar pasi që në seancë nuk patën marrë pjesë deputetët nga radhët e komunitetit serb.

XS
SM
MD
LG