Ndërlidhjet

Liderët fajësojnë njëri-tjetrin për dështimin në Bruksel


Liderët e partive politike maqedonase, pas takimit 12 orësh me ndërmjetësimin e diplomatëve të lartë evropian në Bruksel, i kanë hedhur fajin njëri tjetrit për mosarritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila do të zhbllokonte krizën politike.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se bisedimet në Bruksel kanë përfunduar pa sukes, sepse, siç është shprehur ai, “lideri i opozitës maqedonase ka frikë nga zgjedhjet”.

“Kemi negociuar mbi 12 orë dhe konstatimi im përfundimtar është se zoti Zaevi nuk dëshironte të arrijë marrëveshje dhe as nuk iu afrua asaj. Shkaku është se ai nuk erdhi për t'u dakorduar, por përkundrazi Zaev ka frikë prej zgjedhjeve. Ai e di se në zgjedhjet e ardhshme do ta përjetojë dështimin më të madh të LSDM-së deri më tani në historinë e tij".

"Zoran Zaev nuk dëshiron të arrijë marrëveshje dhe as nuk dëshiron të ketë zgjedhje", është shprehur kryeministri i Maqedonisë pas përfundimit të takimit të liderëve në Bruksel.

Por, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, është shprehur se faji për mosarritjen e marrëveshjes për zhbllokimin e kizës politike qëndron te kryeministri Nikolla Gruevski, i cili, siç ka theksuar ai, "është i gatshëm t'i flijojë të gjithë, por jo edhe veten e tij".

“Është e pakuptimtë që ai, i cili krijoi krizën, të mbetet për të udhëhequr me qeverinë, e cila duhet të përgatis dhe organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare".

"Gruevski ishte i gatshëm të gjithë t'i flijojë vetëm të shpëtojë lëkurën e tij. Ne nuk do të lejojmë dhe një proces zgjedhor kriminal të organizuar nga Gruevski. Qëndrimet tona janë shumë të qarta, në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të bëhen pazare me vlerat demokratike, të cilat i meritojnë qytetarët e Maqedonisë”, ka theksuar Zaev.

Por, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se vetëm ndërhyrja e drejtpërdrejtë e SHBA-së mund të detyrojë palët për të arritur një marrëveshje.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian nuk disponon me metoda të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjeve të caktuara, me të cilat përballet Maqedonia si shtet. Kriza e krijuar politike në Maqedoni tanimë ka marrë përmasa rajonale, veçanërisht pas zhvillimeve në Kumanovë. Për t'u zgjidhur kjo krizë, nevojitet angazhimi i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thekson Stojan Andov, ish kryetar i parlamentit të Maqedonisë.

Ndërkohë, Naser Ziberi, ekspert për çështje juridike, njëherësh dhe deputet në disa mandate të parlamentit të Maqedonisë, thotë se pikërisht anomalitë që përcollën më shumë cikle zgjedhore ishin ato që krijuan krizën politike.

“Maqedonia tani është në situatë kur duhet të sanojë pasojat e zgjedhjeve të bastarduara, të keqpërdorura, të vjedhura. Pra, legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve të parlamentit dhe të qeverisë është jashtëzakonisht diskutabil; në të kundërtën, nuk do të kishim krizë politike, andaj dhe kjo përbërje qeveritare duhet larguar sa më parë, për të krijuar hapësirë që të funksionojnë institucionet shtetërore”, thekson Ziberi.

XS
SM
MD
LG