Ndërlidhjet

Diaspora ndihmon të rinjtë e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Të rinjtë në Kosovë thonë se varen shumë, si ata, ashtu edhe familjet nga paratë e dërguara nga familjarët e tyre që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës.

Gjatë muajve të verës ka një fluks më të madh të këtyre qytetarëve që vijnë në Kosovë për pushime verore.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” , Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar një anketë me disa të rijnë lidhur me atë se sa janë të varur nga të afërmit e tyre në diasporë. Ata tregojnë për mjetet që marrin nga diaspora dhe mënyrën e shpenzimit të tyre.

Driton Kurti, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, tregon se pa mbështetjen e familjarëve që i jetojnë jashtë vendit, nuk do të mund t’ia dilet të jetonte dhe as të studionte.

“Po, kam në diasporë shumë anëtarë të familjes së ngushtë, kam tre axhallarë atje dhe hallën, shumica janë atje. Mbështetja e tyre është e madhe. Ata financojnë studimet e mia, semestrat, fjetjen ushqimin të gjitha. Duke i pasur parasysh kushtet e rënda ekonomik këtu në Kosovë, ndihma që ata bëjnë për ne është e madhe. Ndonjëherë ndihem keq që ata shpenzojnë aq shumë për ne, por që prapë pa ta nuk do të mundem t’ia dal të jetoj”, tregon Dritoni.

Paratë e dërguara nga emigrantët kosovarë për familjet e tyre, sipas të dhënave të mekanizmave në Kosovës vazhdojnë të luajnë rol mjaft të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës.

Shuma e mjeteve të dërgesave të emigrantëve kosovarë që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, është rreth 600 milionë euro, ku brenda një periudhe 10-vjeçare remitencat kanë kaluar shumën prej 5 miliardë euro.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:44 0:00

Adonis Sylejmani, një i ri nga Prishtina, tregon se ka shumë anëtarë të familjes që jetojnë në Gjermani dhe në Zvicër, e të cilët e ndihmojnë atë financiarisht.

Shuma mujore që ai merr nga familjarët e tij është afër 200 euro, gjë që siç thotë ai, i mundësojnë atij që të jetojë mirë, pasi që nuk është i punësuar.

“Po varemi nga dërgesat e familjarëve apo nga diaspora. Kemi të hyra nga ta, sidomos gjatë sezonit të verës kur ata vijnë këtu. Kur dalim, kurrë nuk paguajmë ne. Mos të kishin qenë ata, nuk e di se çfarë kishim bërë”, thotë Adonisi.

Ndërkohë, qytetarët që kanë markete në Prishtinë, tregojnë për Radion Evropa e Lirë se zakonisht gjatë muajve të verës kanë shitje më shumë dhe që kryesisht blerjet bëhen nga qytetarët e vendit që jetojnë jashtë e që për pushime vijnë në Kosovë.

Njomëza, 22 vjeçe, e cila punon në këtë biznes familjar, tregon se me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë zakonisht rritet shitja.

“Gjatë muajve të verës zakonisht vërehet që ka shitje të madhe. Ata nuk kursejnë asgjë dhe blejnë tërë kohën. Unë e kam edhe motrën në Londër dhe e shoh që edhe ajo kur vjen për pushime, shpenzon shumë në Kosovë”, shprehet ajo.

Edhe Flora, një vajzë e re nga Prishtina, e cila merret me dizajn, tregon se i presin me padurim muajt e verës, pasi që siç thekson ajo, ka më shumë të hyra në biznesin e saj.

“Pavarësisht se viteve të fundit kanë filluar edhe ata të jenë më dorështrënguar, por këtë vit po presim që të kemi përftime. Zakonisht kur qytetarët e diasporës vijnë në Kosovë, bëhen shumë ahengje të familjarëve dhe ata porosisin fustane të ndryshme, kështu që është një e hyrë më e madhe për ne gjatë verës”, tregon Flora.

Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, por në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Në sheshin e Prishtinës takuam edhe Krenar Halimin, i cili jeton në Suedi me familjen e tij. Ai tregon se ka ardhur për pushime në Kosovë. Krenari thekson se vazhdimisht familja e tij ka ndihmuar familjarët që i kanë në Kosovë.

“Po mundohemi t’i ndihmojmë çka kanë nevojë familjarët. Djalin e axhës e kam student deri tani dhe e kemi ndihmuar me financimin e studimeve të tij. Familjeve që iu ndihmojnë janë shumë falënderues. Nuk është shumë barrë e madhe për ne t’iu ndihmojmë, pasi që disa prej familjarëve kanë arritur të pavarësohen dhe nuk kanë nevojë më për ndihmë si më parë”, thekson Krenari.

Por, jo të gjithë të rinjtë varen nga remitencat.

Bashkimi, student në Fakultetin Juridik, tregon se nuk ka askënd të familjes jashtë vendit dhe se ai punon për të paguar studimet e tij.

“Për momentin, punoj si kamerier, gjysmën e shpenzimeve i kryej vetë, disa prindërit. Askënd nuk e kam jashtë vendit. Ata që i kanë familjarët jashtë dhe i ndihmojnë, e kanë më lehtë krahasuar me ne, pasi që të ardhurat që ata i marrin nga familjarët e tyre, janë shumë më shumë sesa ne që mund t’i kemi këtu”, shton Bashkimi.

Ndryshe, në një studim mbi remitencat në Kosovë të bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve.

Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

XS
SM
MD
LG