Ndërlidhjet

Greqia në orë kritike për të zgjidhur krizën e borxhit


Ministrat e Financave të Eurozonës kanë mbaruar bisedimet në Bruksel, pa arritur marrëveshje për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi.

Kreu i grupit të ministrave të Financave të Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, ka thënë se negociatorët do t’i përdorin propozimet e bëra këtë fundjavë nga kryeministri grek, Alexis Tsipras, si bazë për bisedime të mëtejshme.

“Ka mundësi që të kemi marrëveshje këtë javë”, ka thënë ai.

Greqia ka hyrë në orët e saj kritike, si pasojë e krizës me borxhe.

Tsipras ka thënë se shpreson se Greqia “do t’i kthehet rritjes brenda Eurozonës”, por ka përjashtuar shkurtimin e pensioneve dhe rritjen e taksave.

Kreditorët ndërkombëtarë, në anën tjetër, kanë thënë se nuk do t’i zhbllokojnë fondet e ndihmës, derisa Greqia të mos bie dakord për këto reforma.

Ajo ka vetëm pak ditë kohë për të arritur marrëveshje me kreditorët; në të kundërtën, nuk do të mund t’i paguajë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 1.6 miliard eurosh - obligim që duhet ta kryejë deri më 30 qershor.

Nëse dështon, Greqia rrezikon të dalë nga Eurozona e ndoshta edhe nga Bashkimi Evropian.

Me kanosjen e këtij rreziku, grekët ua kanë mësyrë bankave për të tërhequr kursimet. Një rekord prej 1 miliard eurosh është tërhequr vetëm të enjten e kaluar, duke vënë bankat e mëdha në rrezik të kolapsit, shkruan gazeta New York Times.

Banka Qendrore e Greqisë ka paralajmëruar qeverinë se dështimi për të arritur marrëveshje me kreditorët mund të çojë në kolapsin e gjithë asaj që ka arritur ekonomia greke përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë.

Ministri i Financave i Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, ka thënë para samitit të sotëm se nuk ka parë asgjë të re nga Greqia dhe pa diçka të re, ka shtuar ai, nuk mund të merret asnjë vendim.

Kryeministri i Greqisë, Tsipras, ka zhvilluar të dielën biseda të ndara telefonike me presidentin e Francës, Francois Hollande, kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Zyra për media e Tsipras ka thënë se ky i fundit “u ka prezantuar tre liderëve propozimin e Greqisë për marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila do të siguronte zgjidhje të përhershme dhe jo vetëm shtyrje të problemit”.

Greqia këmbëngul se nuk do të pranojë shkurtimin e pensioneve ose të pagave të sektorit publik, duke thënë se një e treta e pensionistëve janë nën ose pranë kufirit të varfërisë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG