Ndërlidhjet

Veteranët e UÇK-së protestuan kundër Gjykatës Speciale


Protestë kundër Gjykatës Speciale
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Protestë kundër Gjykatës Speciale

Qindra protestues, pjesëtarë të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të premten kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Ata ishin tubuar para Kuvendit rreth orës 9:30, vetëm gjysmë ore para se të niste seanca, e cila në rend dite ka ndryshimet kushtetuese. Protestuesit u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos votojnë për themelimin e Gjykatës speciale për krime lufte.

Faton Klinaku, sekretar i organizatës së veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka theksuar se kërkesa e protestuesve është që Kosovës t’i ruhet sovraniteti dhe të mos lejohet formimi i , siç e ka quajtur ai, “gjykatës së huaj”, e cila, sipas tij, e cenon këtë sovranitet.

“Kosova është shtet sovran dhe nuk duhet të miratojë gjykata të huaja në Kosovë. Kosova nëse do dhe duhet të hetoj krimet e luftës, duhet të krijoj gjykatë vendore apo këtë drejtësi që e ka, duhet ta forcojë sa më shumë që t’i gjykojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë”, tha Klinaku.

Klinaku u ka bërë thirrje edhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ta lirojnë oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se protesta nuk kishte qëllim dhunën apo ndonjë skandal, por “vetëdijësimin e deputetëve që të votojnë kundër Gjykatës speciale për krime lufte”.

Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, para se të hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur përkrahjen për protestuesit.

“Nuk i keni dhënë gjymtyrët e trupit që sot deputetët të votojnë për atë që është e papranueshme. Nuk keni luftuar që sot të votohet kundër gjithë asaj që ju keni bërë, luftë të pastër dhe sot të gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj, në këtë drejtim, ne do të jemi me ju çdo herë, kur janë kërkesat e tilla, që mbrohet pavarësia e Kosovës”, tha Lekaj.

Haxhi Shala, deputet nga grupi parlamentar Nisma, u ka thënë protestuesve para Kuvendit të Kosovës që e përkrah kërkesën e tyre dhe se do të votoj kundër themelimit të Gjykatës speciale për krime lufte.

“Unë sot, do të mundohem që zërin tuaj, të atyre që ma kanë dhënë votën, ta çoj aty ku duhet. Vota ime, dihet edhe publikisht, do të jetë kundër”, ka thënë Shala.

Rreth orës 14:00, protesta e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Kosovës, ka përfunduar.

Faton Klinaku u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen, duke thënë se “deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë marrë porosinë e protestuesve”.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të shpërndaheni, sepse mesazhin e kanë. Nëse duan të vetëdijësohen ata, të gjithë që kanë pak gjak shqiptari, ose nuk futen fare ose kur futen, votojnë kundër”, tha Klinaku.

Protesta e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kaluar pa incidente, ndërkohë që organizatorët nuk kanë bërë të ditur nëse do të ketë ndonjë protestë tjetër.

XS
SM
MD
LG