Ndërlidhjet

Dyshime se Kosova ka kapacitete të themelojë Gjykatë për Krime Lufte


Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi

Qeveria e Kosovës dhe opozita kanë prezantuar opsione të kundërta për themelimin e një gjykate të veçantë që do të merrej me rastet e pretenduara si krime lufte në raportin e Këshillit të Evropës për periudhën e viteve 1998 – 2000.

Qeveria kërkon që të rikthehet në votim amendamenti kushtetues për themelimin e kësaj gjykate, i cili u rrëzua nga Kuvendi të premten, pasi që nuk i mori votat e mjaftueshme. Përderisa opozita ka dalë me opsionin që për këtë qëllim të themelohet një gjykatë vendore.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi i Kuvendit që të themelojë këtë gjykatë ishte një vendim i gabuar.

Sipas tij, propozimi i opozitës është i pamundur që të realizohet, ngase Kosova e ka dëshmuar se nuk i ka kapacitetet që vet t’i trajtojë raste të tilla.

“Kishte me qenë shumë mirë që gjykatat tona, gjyqtarët tanë t’i gjykojnë këto pretendime të cilat janë sajuar në bazë të hetimeve tri katër vite më parë nga ndërkombëtarët. Por, mendoj që tash për tash këto janë vetëm dëshira, ngase ne e dimë, por edhe ndërkombëtarët e dinë edhe më mirë që Kosova ende nuk ka kapacitete në aspektin e procedimit, zbatimit, realizimit të drejtësisë së mirëfilltë".

"Gjyqtarët, prokurorët tanë, sistemi i drejtësisë akoma nuk e ka arritur atë shkallë profesionalizimi, autonomie dhe guximi që t’i gjykojnë këto krime për të cilat pretendohet”, ka thënë Salihu.

Pasi që kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi dolën me idenë që të ri-procedohet amendamenti kushtetues për themelimin e Gjykatës Specialepër miratim në Kuvend, edhe opozita ishte kundërpërgjigjur që një gjykatë e tillë mund të themelohet, por vetëm si gjykatë vendore.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur pozicionin e mosbesimit të opozitës në drejtësinë që do të ndahej nga një gjykatë ndërkombëtare, duke thënë se tashmë Kosova e ka provuar këtë drejtësi qe 15 vjet.

“Jemi për gjykatë të Kosovës, për Kosovën dhe jemi për gjyqësi jo selektive. Kosova ia ka dhënë mundësinë OKB-së si UNMIK që për nëntë vjet të bëjë gjyqësinë, edhe e ka provuar se çka është OKB-ja. Ia ka dhënë mundësinë Tribunalit të Hagës për aq sa ka ekzistuar".

"Po ashtu, në fund këtë mundësi ia ka dhënë edhe BE-së, përmes EULEX-it. Pra, tri herë Kosova ua dha mundësinë partnerëve ndërkombëtarë që të na ndihmojnë në gjyqësor. Në rast se për tre herë, për këto 15 vjet ata nuk mundën të na ndihmojnë, Kosova nuk po do më që t’ua japë këtë të drejtë”, ka thënë Haradinaj.

Përderisa qeveria dhe opozita dalin me opsionet e tyre se kush duhet ta formojë gjykatën për krime lufte, dështimi i themelimit të saj besohet se do ta çonte çështjen kah Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, si preferencë e përmendur tashmë nga Beogradi zyrtar.

Profesori Ismet Salihu thotë se si opozita ashtu edhe ajo pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës që nuk e mbështetën themelimin e Gjykatës Speciale, nuk kanë të drejtë kur vlerësojnë se kjo gjykatë do të nënkuptonte gjykimin e luftës së UÇK-së.

Ai thotë se në këtë rast, bëhet fjalë për shumë krime që pretendohet se janë kryer pas 12 qershorit të vitit 1999, kur NATO ishte vendosur në Kosovë dhe kur lufta kishte përfunduar.

“Të vetmen zgjidhje nga kjo situatë e shoh që të bisedohet dhe sërish kjo çështje të kthehet në Kuvendin e Kosovës, të arrihet një konsensus dhe të themelohet. Tjetër zgjidhje nuk shoh. Ndërkaq zgjidhja më e keqe, më ogurzezë, më e rëndë do të ishte që kjo gjykatë të themelohej nga Kombet e Bashkuara, përkatësisht Këshilli i Sigurimit”, thekson profesori Salihu.

Në ditën e votimit, më 26 qershor, opozita kishte vendosur të mos merrte pjesë fare në votim. Ndërkaq ishin disa deputetë të PDK-së ata që pamundësuan themelimin e Gjykatës Speciale.

Nga 88 deputetët të Kuvendit të Kosovës sa kanë qëndruar në sallë, 75 prej tyre kanë votuar në favor të krijimit të Gjykatës Speciale, por kjo nuk ka mjaftuar, pasi që nevojiteshin 80 vota për themelimin e saj.

Andaj, tani i mbetet liderit të PDK-së, Hashim Thaçi që para se të presë kthimin e opozitës kah opsioni qeveritar të bisedojë dhe gjejë një konsensus politik me deputetët e partisë së tij për votën në favor të kësaj gjykate.

XS
SM
MD
LG