Ndërlidhjet

Shqetësime në Ballkan për shkak të krizës greke


Vendet e Evropës Juglindore, ku investitorët grekë i kanë nën kontroll pjesë të mëdha të sistemit bankar, po i përgatisin mbrojtjet e tyre kundër infektimit nga lëkundjet greke në teh të shkatërrimit financiar.

Miliona njerëz në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, Serbi dhe Rumani, kanë depozita në bankat, që janë pronë greke, duke e vënë këtë pjesë të Evropës, në linjën e parë të frontit, nëse përhapet kriza e Greqisë.

Serbia dhe Maqedonia tashmë i kanë paraqitur kontrollet e shënjestruara të kapitalit për ta ndalur rrjedhjen në Greqi.

Banka Qendrore e Serbisë i ka kufizuar transakcionet e njësive të bankave greke me pronarët e tyre dhe me mbikëqyrjen e rritur të kompanive aksionare.

Bankat greke në Serbi kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe rezerva të kapitalit, që “mund të përdoret në situatat kur lajmet e këqija mund të shkaktojnë pasoja negative jo të domosdoshme dhe stres psikik”, ka thënë Banka Qendrore e Serbisë.

Banka Kombëtare e Maqedonisë i ka urdhëruar huadhënësit që t’i tërheqin të gjitha kreditë dhe depozitat nga bankat me seli në Greqi. Po ashtu, për maksimum 6 muaj është e ndaluar për të gjithë banorët e Maqedonisë, që të investojnë në letrat me vlerë të Greqisë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, tha se kufizimet për transakcionet me Athinën e kanë ndalur rrjedhën e çfarëdo kapitali.

“Ne nuk kemi shënuar asnjë tërheqje serioze të depozitave nga shtetasit apo kompanitë”, tha guvernatori Bogov, në një konferencë për shtyp të hënën në Shkup.

Bankat me pronarë grekë në rajon janë të hapura, duke paguar para të gatshme dhe duke dhënë kredi, që është e kundërta e asaj që po ndodhë në Greqi, ku degët e bankave janë mbyllur dhe njerëzit mund të tërheqin më së shumti 60 euro në ditë nga automatet.

Megjithatë, fqinjët ish-komunistë të Greqisë po e ndjekin me shqetësim dramën në Greqi.

Bankat greke janë pronare të 20% të sektorit bankar në disa vende, prandaj rreziku është real dhe ekonomitë e rajonit historikisht ishin të ndjeshme. Nuk do të duhet shumë që edhe ato të futen në krizë.

Katër huadhënësit më të mëdhenjë grekë, Piraeus Bank SA, Eurobank Ergasias SA, Banka Kombëtare e Greqisë dhe Alpha Bank AE, kanë njësi në Bullgari, Rumani dhe Serbi, ndërsa dy të fundit operojnë edhe në Maqedoni.

Lidhjet e forta të bankave dhe tregjeve greke kanë ndikuar që bursat, monedha dhe fletobligacionet në Evropë, të shënojnë rënie, pasi Greqia i ka mbyllur bankat e veta dhe ka imponuar kontroll të kapitalit, duke e shtuar rrezikun se do të jetë e detyruar të largohet nga eurozona.

Për shumicën e ekonomive në rritje, “rreziku real është se kriza në Greqi shkakton dridhje të gjëra në eurozonë dhe tregjet globale financiare”, tha Neil Shearing, nga kompania , Capital Economics Ltd.

Rreziku i lartë është reflektuar në borxhe dhe tregjet monetare.

Monedha hungareze dhe ruse kanë humbur 1.5%, duke i udhëhequr rëniet në tregjet në rritje. Bursat në rajon, po aashtu, në përgjithësi kanë shënuar humbje për shkak të rënies së aksioneve në gjithë botën.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG