Ndërlidhjet

Greqia dështoi në pagesën e borxheve


Kryeministri grek, Alexis Tsipras.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Greqia ka rënë në krizë të thellë financiare, pasi programi i ndihmës, në të cilin është mbështetur për pesë vjet, ka skaduar mesnatën e 30 qershorit.

Qeveria greke po ashtu nuk ka arritur t’i shlyejë borxhin Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në vlerë prej 1.6 miliard eurosh.

Rrjedhimisht, Greqia është bërë vendi i parë i zhvilluar që dështon t’i paguajë këstet FMN-së. Vendi i fundit që ka dështuar ka qenë Zimbabve më 2001.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konfirmuar se Greqia ka dështuar të bëjë pagesat.

Kemi informuar bordin tonë ekzekutiv se Greqia tani është në borxhe dhe mund të marrë financa nga FMN-ja vetëm pasi të shlyejë borxhet e papaguara”, ka thënë zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice.

Ai ka konfirmuar se Fondi ka marrë kërkesën e Greqisë për t’i zgjatur afatin e pagesës dhe se ajo do t’i shkojë bordit “në kohën e duhur”.

Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë pranuar kërkesën e Greqisë për t’i zgjatur afatin e paketës së ndihmës.

Kreditorët ndërkombëtarë kanë kërkuar reforma nga Greqia, si kusht për zhbllokimin e fondeve të ndihmës. Dështimi për të paguar borxhet mund të çojë në daljen e Greqisë nga Eurozona.

Kryesuesi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, ka thënë se do të ishte “çmenduri” zgjatja e afatit të paketës së ndihmës, pasi Athina ka refuzuar të pranojë propozimet e udhëheqësve evropianë.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ka shpallur referendum për datën 5 korrik, në të cilin qytetarët do të kenë mundësi të votojnë me “po” ose “jo” propozimet e kreditorëve.

Këta të fundit kërkojnë nga Athina që të rrisë taksat dhe të shkurtojë shpenzimet e mirëqenies.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se nuk do të ketë negociata të mëtejshme me Greqinë, deri pas referendumit të së dielës.

Thesari i Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat, “për ta vënë Greqinë në rrugë drejt rritjes ekonomike, brenda Eurozonës”.

Frika nga falimentimi ka shkaktuar radhë të gjata të qytetarëve grekë te makinat e të hollave. Tërheqja është kufizuar në vetëm 60 euro në ditë.

Bankat greke nuk janë hapur këtë javë, si pasojë e dështimit të bisedimeve midis Greqisë dhe kreditorëve të saj. Megjithatë, rreth 1,000 degë bankare janë rihapur sot për t’iu mundësuar pensionistëve – shumica e të cilëve nuk përdorin karta bankare – për të tërhequr deri në 120 euro.

Të martën në mbrëmje, mijëra protestues i kanë bërë ballë motit të keq dhe janë mbledhur para Parlamentit grek, për të kërkuar votën me “po” në referendum.

Protesta ka pasuar tubimin e së hënës, në të cilin protestuesit kanë kërkuar votën me “jo” – rrugë kjo që preferon edhe kryeministri Tsipras. (v.tela)

XS
SM
MD
LG