Ndërlidhjet

Maqedoni: Zaev në bankën e të akuzuarve


Zoran Zaev
Zoran Zaev

Vendimi i Gjykatës Penale të Shkupit që në bankën e të akuzuarve për aferën e përgjimeve të ulë edhe liderin e opozitës, Zoran Zaev, nga njohësit e çështjeve juridike vlerësohet si vendim i pritur, që nuk ka asnjë bazë juridike.

Vendimi, sipas Osman Kadriut, profesor i së Drejtës Kushtetuese, është i motivuar nga interesa politike për të zhvleftësuar përmbajtjen e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror që tashmë janë publikuar nga kreu i opozitës.

Në vendimin e gjykatës thuhet se një këshill i saj ka konstatuar se Zaev me bashkëpunëtorët e tij, bisedat telefonike i kanë siguruar në mënyrë të paligjshme dhe me ndihmën e shërbimeve të huaja, që janë të dënueshme me Kodin Penal të Maqedonisë.

Kallzimi penal është ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme me arsyetimin se kreu i opozitës me veprën e kryer, ka tentuar të frikësojë zyrtarët, të destabilizojë vendin dhe të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Eksperti Osman Kadriu, thotë se mjafton të përmendet vetëm një element që akuzat e tilla i bënë absurde, pasi që grushtshteti kryhet me ndihmën e forcave të armatosura andaj edhe në rastin konkret e bëjnë qesharake tërë aktakuzën e ngritur.

“Kështu siç e ka përpiluar prokuroria aktakuzën fare nuk ka elemente për rastin “Puçi“, por, këtu kemi të bëjmë me diçka tjetër. Pushteti ka për qëllim që faktikisht të ndalojë publikimin e përgjimit të bisedave politike që ndryshe njihet edhe si “bomba“, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqe shumë vepra penale të kryera nga zyrtarët e lartë të pushtetit ekzekutiv. Me këtë, përmes gjyqësorit bëhet presion politik që personat në fjalë të shpallen fajtor“, thotë Kadriu.

I pyetur nëse vendimi i hap rrugën edhe arrestimit eventual të kreut të opozitës, ai thotë se gjë e tillë vështirë se do të ndodhë për shkak se Zaev është një nga personazhet kyçe në bisedimet për zgjidhjen e krizës, por edhe për shkak të asaj se një veprim i tillë do të tensiononte edhe më shumë gjendjen në Maqedoni.

“Procedura duhet të ndërpritet pasi personi në fjalë është figura kyçe në negociatat për zgjidhjen e krizës. Por, nëse vazhdon procedura, kriza besoj se do të thellohet dhe nuk mund të parashikohet se çfarë veprime mund të ndërmarrin qytetarët, që me siguri se do të jenë në formë të demonstratave, manifestimeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe atë që quhet mos dëgjueshmëri qytetare ndaj pushtetit në tërësi“, thotë Kadriu.

Ai ka shtuar se rasti në fjalë, por edhe shumë veprime tjera dëshmojnë varësinë e pushtetit gjyqësor, i cili deri më tani nuk ka ndërmarrë as edhe një veprim ndaj zyrtarëve për të cilët nga afera e përgjimeve u dëshmua se janë të përfshirë në krime të rënda.

Ndërkohë, partitë politike mbeten në qëndrimet e tyre sa i përket aferës së përgjimeve.

Opozita thotë se ato janë “kryer nga pushteti dhe janë siguruar nga punonjësit e shërbimit sekret të cilët nuk kanë mundur të rrinë indeferent ndaj gjithë atyre krimeve që janë bërë andaj edhe kanë vendosur që bisedat e përgjuara t'ia dorëzojnë për publikim kreut të opozitës“.

Por, kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, thotë se “nga hetimet e deritanishme është dëshmuar se dy ish punojës të sigurimit kanë kryer përgjimet nga aparate të sofistikuara për një shërbim të huaj sekret dhe të njejtat më pas i janë dorëzuar kreut të opozitës“.

Gruevski ka thënë se “organet shtetërore duhet të pastrojnë këtë kriminalitet që të mos bëhet praktikë e punës së pushteteve në të ardhmen“.

Ndryshe, afera e përgjimeve ka nxitur krizën më të madhe politike që ka ndodhur ndonjëherë në Maqedoni, në zgjidhjen e së cilës, janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-së.

XS
SM
MD
LG