Ndërlidhjet

Asociacioni, nyje për kompromis


Kosova është e gatshme që të vazhdojë dialogun me Serbinë, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur mund të ndodhë takimi i ardhshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Valon Murtezaj, këshilltar për çështje të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se në takimin e fundit të dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi në orët e para të ditës së martë, të dyja palët kanë avancuar në disa aspekte drejt arritjes së marrëveshjeve, por nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare.

Murtezaj thotë se është në dorën e Bashkimit Evropian se kur do ta caktojë takimin e radhës, të nivelit të kryeministrave, në Bruksel.

“Nuk mund të them se kur do të ketë, mirëpo tani është në dorën e BE-së. Është ende herët, sepse dje ka përfunduar kjo e fundit dhe tani duhet të shikohen disa modalitete, po supozoj. Në momentin e parë që kjo do të ndodhë (takimi), pala e Kosovës i ka qëndrimet e qarta për secilën temë”, tha Murtezaj.

Megjithatë, Asociacionin apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe duket të jetë nyja e zgjidhjes për të arritur marrëveshje në pako, edhe për çështjet siç janë telefonia, energjia dhe lëvizja e lirë.

Murtezaj, thotë se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë përafruar qëndrimet lidhur me temën e Telekomit, por dallimet ende janë mjaft të dukshme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pozicioni esencial që e mbanë pala e Kosovës, është që nuk ka kompetenca dhe përgjegjësi ekzekutive për Asociacionin. Pra, kjo është esenca dhe çdo gjë që dizajnohet për asociacionin duhet të jetë sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës”, theksoi Murtezaj.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi, vlerësojnë se kur palët kanë qëndrime të kundërta, imponohet kompromisi për arritjen e një marrëveshjeje.

Analisti i çështjeve politike në Kosovë, Dukagjin Gorani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se të dyja palët në dialogun në Bruksel, do të jenë të detyruara të bëjnë kompromise, e sidomos lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sidomos të dyja palëve, e sidomos, unë besoj, përmes këshillave të Bashkimit Evropian, katër apo pesë çështjet kryesore, janë shndërruar në një pako. Vendimi për to do të jetë i përbashkët, në mënyrë që të gëlltitet më lehtë nga ana e opinioneve publik dhe ashtu të shpejtohet i gjithë procesi, i cili tashmë është duke dalë nga kornizës kohore dhe është duke e komplikuar krejt situatën politike në rajon”, tha Gorani.

Ai shtoi se liderët e të dyja vendeve të Kosovës dhe Serbisë, do të ballafaqohen me situatën kur do t’iu duhet t’ua sqarojnë opinioneve publike, të vendeve përkatëse, se kanë qenë të detyruar të bëjnë kompromis.

Edhe Aleksandra Joksimoviq, drejtoreshë e Qendrës për politikë të Jashtme në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihet, të dyja palët do të duhet të lëshojnë pe për disa çështje.

“Porositë që tash po i dërgojnë të dy kryeministrat, janë për konsum të brendshëm dhe se askush nuk kanë qenë të sinqertë në deklaratat e tyre, se çfarë po ndodhë në tavolinën e bisedimeve”, theksoi Joksimoviq.

Analisti Gorani, shpreh mendimin se zgjidhja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të jetë e ndërmjetme.

“Mendoj se ajo zgjidhje do të pranohet dhe do të jetë diçka ndërmjet një organizate, në kuptimin e një organizate joqeveritare, si dhe të një entiteti, i cili ka kompetenca më të zgjeruara publike. Ato mund të interpretohen si publike, por në fakt, ka të ngjarë të jenë edhe ekzekutive në disa fusha të kufizuara shoqërore, të cilat do të interpretohen si fusha të veçanta për një komunitet të veçantë, me kulturë dhe trashëgimi të veçanta”, tha Gorani.

Së fundmi, gjatë vizitës që kryeministri Isa Mustafa ka pasur në Berlin, kancelaria gjermane Angela Merkel ka theksuar se i nxitë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që të t’i zgjidhin çështjet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Merkel ka theksuar se ‘kompromise duhet të bëjnë të dyja palët”.

XS
SM
MD
LG