Ndërlidhjet

SHBA: Gjasët për luftë me Rusinë dhe Kinën po rriten


Një raport i Pentagonit ka tërhequr vërejtjen për “gjasë të vogla, por në rritje” se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen në luftë me fuqitë e tjera botërore, Rusinë dhe Kinën, dhe ka parashikuar konsekuenca që do të jenë “të pakufizuara”.

“Probabiliteti i involvimit në luftë ndërshtetërore me fuqi madhore është vlerësuar se është i vogël, por në rritje”, thuhet në raportin e Strategjisë Ushtarake Kombëtare për vitin 2015.

Rusia disa herë ka “demonstruar se nuk e respekton sovranitetin e fqinjëve të vet dhe se ka gatishmëri për ta përdorë forcën për t’i arritur qëllimet e veta”, thotë raporti, dhe thekson se “aksionet e ushtrisë së Rusisë e shkatërrojnë direkt sigurinë rajonale nëpërmjet forcave të autoritzuara”.

Pentagoni e nënvizon praninë e trupave ruse në konfliktin në Ukrainë, megjithëse Moska nuk pranon se e ka vendosur ushtrinë e saj në pjesën lindore të Ukrainës për ta forcuar kryengritjen separatiste.

Raporti i fundit i Pentagonit, në vitin 2011, është marrë pak me Rusinë, por ai ishte përpiluar para aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në mars të vitit të kaluar, dhe para se Moska ta mbështeste kryengritjen, që ka shkaktuar vrasjen dhe zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Kina, po ashtu, është përmendur në raport si vend agresiv në rritje dhe që paraqet kërcënim për interesat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara në botë, ku stabiliteti është i ndjeshëm.

Kina është duke i shtuar “tensionet “ në rajonin Azi-Paqësor, me projekte pretenduese tokësore në hapësirat e kontestuara në Detin Jugor Kinez, që kanë për qëllim shtimin e pranisë ushtarake dhe civile të Kinës.

Konfliktet do të vijnë shpejtë

“Ambienti i sotëm global i sigurisë është më i paparashikuari që e kam parë në 40 vjetët e shërbimit”, tha gjenerali Martin Dempsey, kryesues i Shtatmadhorisë së Bashkuar të ushtrisë amerikane, duke e paraqitur raportin.

Për më tepër, fuqitë e tjera ushtarake po avancojnë nga përhapja e shpejtë e teknologjive të sofistikuara për ta zvogëluar epërsinë teknologjike të Shteteve të Bashkuara, që njëherë e kishte, tha Dempsey.

“Konfliktet e ardhshme do të vijnë më shpejtë, do të zgjasin më gjatë dhe do të mbështeten në fushëbeteja teknikisht më tepër sfiduese”, tha gjenerali amerikan, dhe ka shtuar se “ato do të kenë implikime në rritje në tokën e Shteteve të Bashkuara”.

Përhapja e teknologjive të avancuara në gjithë botën, po e shkatërron avantazhin garues, që për një kohë të gjatë është mbajtur nga Shtetet e Bashkuara, siç është tëheqja e hershme e rrezikut dhe sulmi preciz, thuhet në raportin e Pentagonit.

Çrregullimi global në rritje

Aty, po ashtu, theksohen edhe kapacitetet atomike në rritje dhe raketat balistike të Iranit dhe Koresë Veriore, që janë në listën e vendeve, që paraqesin “shqetësime serioze të sigurisë” për Amerikën dhe aleatët e vet.

Grupet ekstremiste, sikur Shteti Islamik, po e bashkojnë me lehtësi përdorimin e teknologjive luftëbërëse me ideologjitë e tyre radikale, për t’i destabilizuar në tërësi vendet dhe rajonet, konsideron raporti i paraqitur nga Pentagoni, duke konstatuar se “çrregullimi global” është në rritje.

Përkundër kërcënimeve në rritje, ushtria amerikane mbetet më e fuqishmja në gjithë botën, me një buxhet vjetor prej afro 600 miliardë dollarë, që është më i madh se në secilin vend tjetër.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG