Ndërlidhjet

Engel para Kuvendit - Gjykatën tuaj apo të OKB-së


Eliot Engel, foto nga arkivi
Eliot Engel, foto nga arkivi

Kongresisti amerikan, Eliot Engel u ka bërë thirrje edhe njëherë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të themelojnë Gjykatën Speciale për Krime Lufte, për të evituar që këtë ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Këto komente, kongresisti amerikan i ka bërë gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për shënimin e 2 Korrikut, datës së miratimit të Deklaratës Kushtetuese e cila 25 vjet më parë e definonte Kosovën si një Republikë të pavarur nga Serbia.

Një pjesë të fjalimit, kongresisti amerikan, megjithatë ia kushtoi çështjes tashmë problematike të themelimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës.

“E di se është një vendim i vështirë. Por, për mua çështja nuk është se a do të ketë Gjykatë Speciale, por se a do të ketë gjykatë të themeluar nga Kuvendi i Kosovës apo gjykatë të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Engel.

Nëse gjykata themelohet nga Kombet e Bashkuara, ka vijuar ai, kjo do të ishte problem i madh për Kosovën.

Sipas tij, me vet faktin që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, ajo nuk do të trajtohej drejtë atje.

Ai i ka rikujtuar deputetët, të cilët më 26 qershor nuk i dhanë miratimin kësaj gjykate, se në Kombet e Bashkuara do të vinin në shprehje edhe pikëpamjet e shteteve si Rusia dhe Serbia, të cilat me ngulm e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Në pjesën tjetër të fjalimit, Eliot Engel, ka siguruar institucionet, partitë politike dhe popullin e Kosovës se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën.

“Përkushtimi amerikan për Kosovën është që të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë ambasadë të madhe këtu dhe po e bëjmë këtë sepse ne besojmë në popullin e Kosovës, ne besojmë në demokracinë e Kosovës”, ka thënë kongresisti Engel.

Tutje ai ua ka bërë me dije partive politike të përfaqësuara në Kuvend se ai personalisht do të mbetet i përkushtuar që të lobojë për njohje të reja të Kosovës deri në kohën e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Dua t’u bëj me dije se pavarësisht cilës parti politike i takoni, unë do t’iu respektoj juve. Unë nuk marr pozicion në zgjedhje kah asnjëra parti. Krejt çka dua të shoh është zhvillimi i demokracisë, sundim të rendit dhe ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit”, ka thënë kongresisti Engel.

Fjalimi i kongresistit amerikan është përcjellë me duartrokitje nga deputetët.

Në këtë seancë, janë rikujtuar zhvillimet e para 25 viteve, kur delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës po e kundërshtonin suprimimin e autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, lëvizja paqësore e viteve të '90-ta dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndihmën dhe partneritetin e vendeve mike, sollën deri te liria dhe pavarësia e Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim, pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë. Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Veseli.

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, para delegatëve të atëhershëm, ishte lexuar para ndërtesës së Kuvendit, nga ish kryetari Kuvendit Iliaz Ramajli.

Ai ka rikujtuar disa nga zhvillimet kryesore që nga ajo datë që sollën deri te pavarësia e sotme e Kosovës.

“Deklarata Kushtetuese ishte hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, pavarësi kjo që u ndërtua me lëvizjen paqësore për çlirim si dhe kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë më 17 shkurt, 2008, me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës", ka thënë Ramajli.

Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Kurse më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me të cilën Kosova shpallej Republikë.

XS
SM
MD
LG