Ndërlidhjet

Qytetarët nuk i përballojnë shpenzimet


Ilustrim
Ilustrim

Paga mesatare në administratën shtetërore në Kosovë arrin në 429 euro, në sektorin privat 349 euro, derisa konsumi për ekonomi familjare në vit llogaritet të jetë 7.611 euro, kurse për kokë banori 1,386 euro ose 115 euro në muaj.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2014 , tregojnë se ka rënie të konsumit për kokë banori dhe ekonomive familjare, përderisa ka rritje të konsumit të përgjithshëm.

Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore i përbëjnë: ushqimi dhe pijet joalkoolike me 3,366 euro ose 44 për qindnë vit, pasuar nga banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli e duhani.
Se konsumatorët po përballen me çmime të larta të konsumit dhe me ulje të standardit jetësor, e thonë edhe disa qytetarë në Prishtinë.

Sipas tyre, çmimet janë të papërballueshme krahasuar me pagën mujore në Kosovë.

Megjithatë, pagat nga sektori publik dhe privat paraqiten burim kryesor dhe i rëndësishëm i të hyrave në vend.

Blerta, një qytetare nga Prishtina, e cila ka përfunduar Fakultetin Ekonomik dhe është e papunë, thotë se çmimet janë jashtëzakonisht të larta, kurse shporta e konsumitnuk i ka të gjitha produktet e nevojshme për jetë.

“Në përgjithësi, ushqimi është jashtëzakonisht i shtrenjtë krahasuar me vendet tjera dhe krahasuar me pagat që janë në Kosovë, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.Çmimet janë të ndryshme në treg dhe shumë herë duhet të hulumtohet tregu, në mënyrë që të gjenden artikuj më të lirë”, thotë Blerta.

Ndryshe, në raport thuhet se pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit 2014 kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetanake.

Gjatë vitit 2014, rreth 64 për qind ekonomive familjare nuk kanëmundur të mbajnë shtëpinë apo banesën të ngrohtë në mënyrë adekuate.

Një qytetar tjetër mbi të 50-at, Shaqir Demiri, më profesion inxhinier, thotë se paga që merr nuk mjafton për përmbushjen e nevojave elementare për jetë.

Demiri thotë se çmimet e produkteve ushqimore janë të shumë të shtrenjta.

“Çmimet e konsumit janë jashtëzakonishttë shtrenjta. Dyqanet e ndryshme vazhdimisht promovojnë ulje të çmimeve, por kur i sheh në vitrina për një artikull ulin çmimet, kurse për të tjerët i ngritin. E, të mos flasim për produktet e mishit”, thekson Demiri.

Më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë në vitin 2014, nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë të ushqyerit çdo të dytën ditë një shujtë me mish, pulë, peshk apo ushqim vegjetarian.

Në sistemin e arsimit punon Bexhet Ibrahimi, i cili thotë se me pagën që merr, nuk arrin të paguajë për çdo muaj faturat e shërbimeve komunale.

“Pagat janë të ulëta. Për një familje mesatare 6 -anëtarëshe,paga nuk mjafton vetëm për ushqim, pasi çmimet janë shumë të larta. Ku mbesin tani faturat e shërbimeve komunale, të cilat po ashtu kanë vlerë të lartë”, shprehet Ibrahimi.

Se ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë me kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale -faturat, mirëmbajtje të rregullta , thuhet edhe në raportin e ASK-së.

Gjatë vitit 2013, rreth 44 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2014 është vërejtur një rënie prej 2 për qind.

Po ashtu, në vitin 2014, 72 për qind e ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

XS
SM
MD
LG