Ndërlidhjet

Opozita i shpall të dështuara bisedimet për zgjidhjen e krizës


Opozita në Maqedoni i ka shpallur të dështuara bisedimet për zgjidhjen e krizës së rëndë politike në të cilën ndodhet vendi.

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev tha se tani e tutje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve mes liderëve të partive politike për shkak të mungesës së gatishmërisë së pushtetit për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore andaj aktivitetet e opozitës në të ardhmen do të përqëndrohen në projektin “E vërteta për Maqedoninë“, që nënkupton vazhdimin e publikimit të bisedave telefonike të zyrtarëve nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

“Procesi i negociatave ka dështuar. Nikolla Gruevski në kontinuitet ka minuar marrëveshjen e arritur më 2 qershor. Gruevski ka dëshmuar se nuk është i gatshëm të bëjë asgjë për të mirën e Maqedonisë. Tentuam që në mënyrë paqësore dhe të civilizuar të arrijmë marrëveshjen për kapërcimin e krizës politike, por është e qartë se Gruevksi nuk dëshiron këtë dhe qëllimisht e zvarrit procesin".

"Zgjedhje në prill të vitit 2016 nuk do të ketë, zgjedhje pa opozitën nuk mund të mbahen. Ne, do të vazhdojmë me projektin, “E vërteta për Maqedoninë“, për të nxjerr në sipërfaqe të gjitha krimet e pushtetit aktual“, ka deklaruar Zoran Zaev.

I pyetur nëse qëndrimi i LSDM-së mund të ndryshojë nga aktivitetet e ardhshme të përfaqësueseve ndërkombëtar, përfshirë vizitën e ndihmës-sekretares amerikane të shtetit, Viktoria Nuland, e cila të hënë pritet të vizitojë Maqedoninë, Zaev tha se opozita është e gatshme për të shqyrtuar vendimin, por vetëm nëse plotësohen kërkesat e saj, që janë bazë për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Ne gjithmonë jemi transparent në veprimet tona. Gjithsesi, nëse bashkësia ndërkombëtare, pavarësisht nëse ajo është zonja Nuland, komisioneri Han, apo Mogerini, japin propozime konkrete se janë përmbushur kushtet për ndarjen e përgjegjësive dhe garancive mes pushtetit dhe opozitës për kthimin normalitetit në shtet, për kthimin e demokracisë së humbur, për funksionimin e institucioneve, apo për sigurimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike, pa dyshim se ja vlen të shqyrtohen“, ka thënë Zaev.

Ai i kishte dhënë afat kryeministrit që deri në mesnatën e së martës të caktojë takimin e ri të liderëve të partive politike, por një gjë e tillë është refuzuar nga kryeministri me arsyetimin se nuk ka rafrim të qëndrimeve mes partive.

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka dashur të komentoj zhvillimet rreth krizës politike.

“Lidhur me krizën politike dhe bisedimet që po zhvillohen për kapërcimin e saj, nuk do të kisha dashur të komentoj asgjë deri sa ato zgjasin në ditët në vijim për të mos i dëmtuar këto bisedime apo të mos interpretohem gabimisht“, ka deklaruar Gruevski i cili një ditë më parë për ngecjet në bisedimet kishte fajësuar opozitës, e cila, sipas tij, nuk është e gatshme për komromis.

Dallimet kryesore në bisedimet mes pozitës dhe opozitës kanë të bëjnë me afatet kohore për largimin e Gruevskit nga qeveria.

Opozita kërkon që ai të tërhiqet gjashtë muaj para zgjedhjeve si dhe të drejtoj disa nga ministritë kyçe të qeverisë kalimtare. Por, këto kërksa janë kundërshtuar nga Gruevski i cili në prononcimet e tij nuk ka sqaruar asnjëherë se çfarë lëshimesh është i gatshëm të bëjë.

Opozita vlerëson se qeveria kalimtare në krye me Gruevskin nuk mund të organizoj zgjedhje të lira, por ky i fundit përgjigjet duke thënë se për atë se kush do të jetë kryeministër nuk vendos opozita ,por populli, që, siç thotë ai i ka dhënë mandatin për të drejtuar vendin.

XS
SM
MD
LG