Ndërlidhjet

Shqipërisë i kërkohet dekriminalizim dhe reforma në drejtësi


Dekriminalzimi ka qenë ndër temat kryesore për të cilën ka folur zëvendës ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Euro-Azinë, Victoria Nuland, gjatë vizitës së saj në Tiranë.

Pas takimeve që ka zhvilluar me personalitetet më të larta të vendit, zonja Nuland, në një konferencë për shtyp, mes të tjerave tha:

“Sinqerisht, në një demokraci, populli, votuesit, meritojnë më shumë se sa t’u paraqiten kandidatë me të shkuar kriminale. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të këmbëngulin që partitë politike këtu t’u ofrojnë kandidatë të pastër, t’u ofrojnë njerëz që duan ta çojnë vendin përpara në vend që ta tërheqin prapa”.

Ajo bëri thirrje për ndryshime në Ligj apo Kushtetutë për pastrimin e politikës.

“Ajo që duam të shohim është legjislacion ose ndryshime kushtetuese që e bëjnë shumë shumë të vështirë për cilëndo parti që të paraqesë njerëz që ka kriminalitet në të shkuarën e vet, ose që duan të merren me kriminalitet nga pozicione pushteti”.

"Duam të shohim të gjithë udhëheqësit e partive politike, pavarësisht nga krahët, që të bashkohen dhe të bëjnë ato lloj reformash sistemike legjislative që mbështet një sistem më të pastër”, tha ajo.

Një mesazh të fortë, zëvendës ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, dha për sistemin e drejtësisë.

“Populli shqiptarë ka pritur tepër gjatë për një drejtësi të pastër, të paanshme, për të pasur besim në gjykatat e tij. Prandaj, nuk është çështja nëse Shtetet e Bashkuara do të përmendin emra; çështja është që kjo reformë të prodhojë një sistem më të mirë, më të pastër ku gjyqtarët dhe prokurorët japin llogari, për sjellje të paanshme. Dëgjova angazhimin e fortë të të gjitha palëve sot. Do të vëzhgojmë cilindo për t’u siguruar që do t’i përmbushin këto angazhime”, tha zonja Nuland.

Reforma në drejtësi ka qenë një ndër temat për të cilën ka folur edhe presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schultz.

“E rëndësishme është që Shqipëria të kryejë reforma të thella e efektive, sidomos e rëndësishme mbetet reforma në drejtësi”. Reforma në gjyqësor jo vetëm që duhet të jetë e qëndrushme e të vazhdojë më tej, por ajo përbën një element shumë të rëndësishëm për investimet e huaja”, ka thënë zoti Schultz.

Zoti Schultz ka deklaruar se nuk ka ndonjë datë konkrete se kur mund të hapen negociatat për anëtarsim të Shqipërisë në BE, ndërkohë ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në rajon.

Të dy personalitetet, gjatë vizitave së tyre disa orëshe në Tiranë, janë takuar me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

XS
SM
MD
LG