Ndërlidhjet

Barnatoret me çmime të ndryshme të barnave


Barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucional, ndodhë për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodhë për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.

Por, kjo çështje sipas zyrtarëve në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Pranvera Behrami, zyrtare për informim në AKPM, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, përmes akteve nënligjore do të unifikohen edhe çmimet e barnave.

"Laramania e çmimeve të barnave është evidente në subjektet farmaceutike në gjithë Kosovën. Kjo për shkak se ende po pritet hyrja në fuqi e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, e që do ta krijonte mundësinë ligjore që Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale në bashkëpunim me Agjencinë e Financimit Shëndetësor të krijonin akte nënligjore që do të rregullonte çmimin e barnave".

Zonja Behrami shton se përveq unifikimit të çmimeve të barnave, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të rregullohet edhe çështja e shitjes së barnave pa recetën e mjekut.

"Me akte nënligjore do të rregullohet edhe çështja e shitjes së barnave pa recetë të mjekut, pasi që e dimë se tash për tash mund të blesh barna pa rekomandimin e mjekut, përfshirë këtu edhe antibiotikë apo edhe barna narkotike".

"Gjithashtu, futja në fuqi e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe rimbursimit të barnave do ta bëjë obligative respektimin e kësaj, pasi që pacienti pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e mjekut nuk do të mund të blejë barna".

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më pas, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se në vitin 2015, qytetarët do të mund të përfitojnë nga fondi i sigurimeve shëndetësore, ndërsa ekspertët shëndetësorë shprehin skepticizëm rreth fillimit të implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, për shumë arsye.

Edhe qytetarët shprehen të pakënaqur me laramaninë e çmimeve të barnave.

"Pa dyshim qe mundesh me vërejt që ka laramani të cmimeve të barnave nëpër barnatoret e Prishtinës, por edhe të gjithë Kosovës. Nuk janë çmime që variojnë me shumë të vogël. Për të njejtin ilaq në barnatore të ndryshme , diferenca është shumë e madhe’’, është shprehur Fllanza Gashi, studente.

Sidoqoftë, edhe vetë anëtarë të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, kanë deklaruar se laramania e çmimeve e destabilizon tregun farmaceutik, andaj sipas tyre, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejtë.

XS
SM
MD
LG