Ndërlidhjet

Kur do të bëhet Kosova anëtare e OBSH-së?


Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Për t'u bërë pjesë e saj, duhet që të aplikohet në këtë organizatë, derisa një gjë e tillë nuk është bërë nga institucionet e vendit.

Skender Syla, udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, e cila funksionon që nga viti 1998, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Kosova për t'u bërë anëtare e OBSH-së, nuk duhet të plotësohet ndonjë kusht i veçantë, përpos marrjes së votave të nevojshme nga 194 shtetet anëtare.

"Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OBSH, kjo nuk varet nga organizata, por nga shtetet anëtare e që janë 194 shtete. Për të qenë Kosova anëtare e OBSH-së procedurat janë që Kosova duhet aplikojë që të jetë pjesë e saj. Nuk ka ndonjë kusht të veçantë, derisa kushti i vetëm është marrja e votave të nevojshme të shteteve anëtare të OBSH-së".

"Më pastaj, kërkesa paraqitet në asamblenë e OBSH-së dhe varësisht prej numrit të votave që merr nga këto shtete bëhet ose jo anëtare. Por, kjo varet nga interesimi i institutcioneve të Kosovës nëse aplikojnë ose jo. Egzistojnë dy mundësi, aplikimi direkt në OBSH ose kur Kosova të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, automatikisht bëhet pjesë e OBSH-së", thotë Syla.

Zoti Syla ka shtuar se si udhëheqës i zyrës së OBSH-së në Kosovë, nuk ka të drejtë të inicojë çështjen e anëtarsimit, pasi që kanë rol neutral ndaj statusit të Kosovës.

"Sa i përket qëndrimit të sekretariatit të OBSH-së sikundër edhe organizatat tjera të Kombeve të Bashkuara, pozita jonë është neutrale ndaj statusit të Kosovës, andaj ne nuk mund të inicojmë çështjen e anëtarësimit, pasi që kjo duhet rrejdhur nga autoritetet e qeverisë së Kosovës".

"Zyra e OBSH-së është e pranishme në Kosovë që nga viti 1998 dhe pavarësisht që Kosova nuk kështë shtet anëtar i OBSH-së ne kemi dhënë kontribut të madh në sistemin e shëndetësisë", bën të ditur Syla.

Ndërkaq Time Kadriaj nga Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se si anëtare e komisionit, në bashkëpunim me zyrtarë relevantë do të kontribuojnë, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e OBSH-së.

"Mendoj se është një organziatë e rëndësishme dhe ne në disa takime që i kemi pasur edhe me ish ministrin, por edhe me ministrin aktual të Shëndetësisë, është folur që Kosova të jetë pjesë e OBSH-së, por më pas nuk kemi pasur ndonjë kontakt për tu shqyrtuar kjo, dhe nuk e dimë si ka rrjedhë".

"Ne si komision do të kontribuojmë në mënyrën tonë që Kosova të jetë pjesë e OBSH-së, pasi që do të kemi përfitime, ku në rast të shfaqjes së sëmundjeve me përmasa epidemike, të jemi pjesë e këtyre organizatave do të kemi përkrahje edhe më të madhe, ndonëse OBSH ka kontribuar prej vitesh në Kosovë", thekson zonja Kadriaj.

Sidoqoftë, edhe pse Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zyra e saj në Kosovë ka qenë e pranishme që nga viti 1998 dhe ka dhënë një kontribut të çmuar drejt avancimit dhe konsolidimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Pavarësisht faktit se nuk është ende anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosovës iu ka dhënë mundësia të marrë pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare dhe rajonale të kësaj organizate.

XS
SM
MD
LG