Ndërlidhjet

Anelay me mesazh të qartë për themelimin e Gjykatës Speciale


Udhëheqësit e institucioneve qendrore të Kosovës kanë marrë edhe një mesazh nga faktori ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kësaj radhe, ishte ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesja Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, Baronesha Joyce Anelay, e cila tha në Prishtinë se Kosova duhet ta mbajë fjalën dhe ta krijojë Gjykatën Speciale.

Këto komente, ajo i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

“Mesazhi im është i qartë. Kosova ka dhënë një mesazh të qartë si shtet që dëshiron të jetë aktiv në arenën ndërkombëtare dhe komuniteti ndërkombëtar pret ta sheh që Kosova është duke e mbajtur fjalën”, është shprehur Anelay.

Përmbushja e këtij zotimi, sipas saj, do të dëshmonte para botës se Kosova dëshiron të jetë pjesë e proceseve integruese dhe të pranohet në organizatat ndërkombëtare si shtet fuqiplotë.

Nga ana e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pranoi se çdo shtyrje për themelimin e gjykatës nuk do t’i kontribuojë proceseve zhvillimore të shtetit.

“Qëndrimi im ka qenë i qartë që nga fillimi që ne e kemi marrë një obligim ndërkombëtar që duhet ta përmbushim. Duhet njëherë e përgjithmonë ta përmbyllim këtë kapitull sado që duket i rëndë për shoqërinë tonë”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.

Ndryshe, gjatë qëndrimit në Kosovë, baronesha Joyce Anelay, do të shpall mbështetjen e re të Mbretërisë së Bashkuar prej 80.000 funtash për Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe partnerët e tyre.

Këto fonde, sipas një njoftimi të Ambasadës Britanike, do të mbështesin punën e çmuar të cilën Qendra po e bën në ndihmën e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt përmes programeve të rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik.

“Ministrja gjithashtu do të premtojë mbështetjen e MB-së në trajnimet në Kosovë për Protokollin Ndërkombëtar për dokumentimin dhe hetimin e dhunës seksuale në konflikt, që do të fuqizojë praktikën më të mirë në Kosovë për dokumentimin e dhunës seksuale si krim në konflikt dhe do të ndihmojë në sigurimin e qasjes për të mbijetuarit në Kosovë në mbështetjen, shërbimet dhe drejtësinë që ju takon", thuhet në njoftimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

"Si pjesë e përpjekjeve të Kosovës në adresimin e të këqijave nga e kaluara, baronesha Anelay gjithashtu do të inkurajojë udhëheqësit e Kosovës që të themelojnë Gjykatën Speciale për krime të luftës, një element thelbësor për promovimin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër mosndëshkimit”, përfundon ky njoftim.

XS
SM
MD
LG