Ndërlidhjet

Temperaturat e larta rrisin numrin e emergjencave


Kosova ka ditë që është duke u ballafaquar me temperatura të larta. Këto ditë, temperaturat më të larta në nivel vendi kanë arritur 35 gradë celsius, e që do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, thotë Besim Aliu, nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës.

Sipas parashikimeve të motit, Aliu thotë se javën e ardhshme pritet të ketë ulje të temperaturave dhe mundësi të reshjeve të shiut.

"Këto temperatura do të vazhdojnë deri në ditën e martë, do të ketë edhe reshje të shiut të cilat do të ulin temperaturat për një deri në dy gradë celsius”, ka thënë Aliu

Ngritja e temperaturave ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve në sistemin shëndetësor, zjarre me intensitet të vogël në disa rajone, por edhe rritje të numrit të aksidenteve.

Gjatë javës së kaluar e deri më sot, në Qendrën Emergjente në Prishtinë, është rritur dukshëm numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë për shkak të temperaturave të larta, thotë Basri Lenjani, drejtor në këtë qendër.

Lenjani ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se nga mesi i javës së kaluar 840 raste kanë kërkuar shërbime emergjente, rreth 10 për qind nga ta, ndihmë kanë kërkuar nga ndikimet e drejtpërdrejta të rrezeve të diellit.

Kategoria më e prekur thotë ai, janë personat e moshuar me sëmundje kronike.

“Nga dita e enjte kur filloi festa e Fitër Bajramit dhe ditët e vikendit, e deri më sot, në Klinikën Emergjente, gjithsej kanë kërkuar ndihmë emergjente mjekësore 840 raste. 60 për qind të tyre i takojnë sëmundjeve, 40 për qind i takojnë gjendjeve aksidentale në sferën e traumatologjisë, kurse 5-10 për të rasteve të cilët kanë kërkuar shërbime emergjente janë kryesisht të ndikimit të drejtpërdrejtë nga rrezet e diellit”

Nga temperaturat e larta në rajone të ndryshme të Kosovës, disa hapësira janë përfshirë nga zjarri.

Ahmet Zejnullahu, kryeshef i Agjencionit Pyjor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tregon se zjarre më përmasa të vogla ka pasur në rajonin e Prizrenit.

Por, megjithatë sipas tij, situata është nën kontroll dhe kjo agjenci ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Agjencia e Pyjeve të Kosovës ka bërë përgatitjet e duhura sa i përket zjarreve eventuale në pyje. Kemi 120 punëtorë të cilët janë të përgatitur dhe të shpërndarë në të gjitha rajonet e Kosovës, edhe janë të gatshëm që pas çdo zjarri të ndërhyjnë në shuarjen e tyre. Deri më tani situata është nën kontroll", tha Zejnullahu.

Gjatë kësaj periudhe, po ashtu është vërejtur edhe rritje e numrit të aksidenteve në trafik. Sipas raportit të Policisë se Kosovës, vetëm ditën e hënë 16 aksidente kanë qenë me të lënduar kurse 34 të tjera pa të lënduar, ndërsa 665 tiketa të trafikut janë shqiptuar.

XS
SM
MD
LG