Ndërlidhjet

Qytetarët e Kosovës në kredi edhe për pushime


Ilustrim
Ilustrim

Bankat komerciale, të cilat veprojnë në Kosovë, gjatë muajve të verës kanë ardhur me oferta të reja për kredi, e që është kredi për pushime.

Gati të gjitha këto banka në ueb-faqet e tyre dhe përmes fletushkave që po i shpërndajnë te qytetarët, po i informojnë këta të fundit se ofrojnë kredi për pushime.

Kjo ofertë e bankave pothuajse bëhet çdo vit gjatë sezonit të verës.

Një kredi për pushime në njëra nga bankat komerciale në Kosovë e kishte marrë edhe një qytetare e Prishtinës.

Adelina Berisha me familjen e saj katër-anëtarëshe kishte marrë një kredi në vlerë prej 1500 eurosh vitin e kaluar. Ajo tregon se këtë e ka bërë për shkak të pagës së ulët dhe pamundësisë që të kursejë para për pushim.

“Po kam marrë kredi për pushime verore vitin e kaluar në shumën 1500 euro. Po mendoj se nuk ia vlen pasi që interesi është shumë i lartë, ndoshta mund të merret ndonjë kredi për ndonjë rast urgjent dhe jo për pushime. Por, kur i ke rrogat e vogla, sidomos ne që punojmë në sektorin privat, je i detyruar në njëfarë mënyrë të hysh në kredi”, tregon Adelina Berisha.

Një ofertë e tillë e bankave, ndonëse për disa qytetarë konsiderohet të jetë lehtësuese dhe e mirë për t’i mundësuar vetes pushime, nuk arsyetohet nga njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Milazim Abazi, ekspert i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, marrjen e këtij lloji të kredisë e quan të dëmshme.

“Kjo, faktikisht, e stimulon nxjerrjen e parasë jashtë vendit ashtu sikurse po ndodh me importin e mallrave që qytetarët e Kosovës gati 90 për qind të të hyrave të tyre, qoftë buxhetorë, qoftë paratë e dërguara nga bashkatdhetarët tanë, po i nxjerrin jashtë vendit. Me këtë edhe më tutje po përkeqësohet bilanci i pagesave të Kosovës”, sqaron Abazi.

Praktika e marrjes së kredisë për pushime nga disa familje, sipas Abazit, është një sinjal jo i mirë për familjen, por edhe për ekonominë në përgjithësi. Kjo, sipas tij, tregon se qytetarët e Kosovë janë duke jetuar në një gjendje jo të mirë ekonomike.

“Këtu kemi të bëjmë edhe me vetëdijen e ulët të qytetarëve të Kosovës, të cilët e harxhojnë edhe centin e fundit për pushime edhe pa i pasur mundësitë. Por, gjithsesi se kjo tregon që qytetarët e Kosovës janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të kursejnë para gjatë vitit për një pushim, dhe hyjnë në kredi me norma kaq të larta të interesit”, thekson Abazi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, rreth 500 mijë qytetarë të Kosovës me një vlerë afër 2 miliardë euro kanë kredi në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë.

Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje t’i paguajnë me kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale -faturat, mirëmbajtjet e rregullta.

Gjatë vitit 2013, rreth 44 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë nuk kanë mundur t’i përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2014 është vërejtur një rënie prej 2 për qind.

Po ashtu, në vitin 2014, 72 për qind e ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

XS
SM
MD
LG