Ndërlidhjet

Assad betohet për fitore në Siri


Presidenti Bashar Assad
Presidenti Bashar Assad

Presidenti i Sirisë, Bashar Assad, pranoi më 26 korrik se ushtria siriane po përballet me mungesë të njerëzve dhe se u është dashur të heqin dorë nga disa zona të shtetit, gjatë luftës civile që e ka kapluar shtetin.

Megjithatë, Assad tha se ushtria është e aftë të mbrojë kombin, dhe u betua se do ta fitojë luftën.

Nëpërmjet një fjalimi televiziv, Assad theksoi se “ka mungesë të resurseve njerëzore” në ushtri, “por nuk do të thotë se mund të flasim për kolaps”.

Ai tha se në disa zona, qytetarët kanë marrë armët për të ndihmuar ushtrinë dhe se “kjo ka pasur ndikim vendimtar në luftime”.

Mungesa e ushtarëve të rinj e ka shtyrë Sirinë të mbështetet në rekrutimin e milicive besnike nga provincat e kontrolluara nga shteti.

Numri i pjesëtarëve të ushtrisë është zvogëluar në 200 mijë, nga 350 mijë sa ishte para luftës, sipas organizatës britanike Observatori për të drejtat e njeriut.

Assad pranoi se ushtria është dashur të heqë dorë nga disa territore të Sirisë, për shkak të prioriteteve ushtarake.

Ai tha se “Ishte e nevojshme të specifikohen zonat kritike, në të cilat ushtria nuk mund t’i mbante. Shqetësimi për ushtarët tanë na detyroi t’i lëshojmë disa nga to”.

Muajve të fundit, forcat pro-Assadit janë detyruar të largohen nga pjesa dërmuese e provincës veriperëndimore e Idlibit dhe qytetit antik të Palmyras.

"Kishte zona, në të cilat donim të tregonim përkushtimin tonë”, tha Assad, duke shtuar se, “Por, ushtria nuk mund të jetë nëpër të gjithë territorin”.

Në një përpjekje për të rritur numrin e ushtrisë, Assadi më 25 korrik shpalli amnisti për dezertorët e luftës, të cilët kanë shkelur Ligjin për luftë.

Assad, gjithashtu, tha se mbështet çfarëdo dialogu politik për t’i dhënë fund luftës civile në vend, edhe nëse ka ndikim të kufizuar për të zgjidhur krizën.

Por, ai potencoi se çfarëdo iniciative që nuk përfshin luftimin e “terrorizmit” do të ishte “e pakuptimtë”.

Konflikti në Siri ka filluar në muajin mars të vitit 2011 me protesta anti-qeveritare, të cilat u shndërruan në luftë civile, pas goditjeve të regjimit.

Atje ka rebelë të moderuar, të cilët kundërshtojnë Assadin, por grupet ekstremiste islamike janë bërë më të efektshmet në luftë.

Në këto grupe bën pjesë edhe grupi militant Shteti Islamik, i cili kontrollon rreth një të tretat e Sirisë dhe Irakut fqinj.

Më shumë se 230 mijë persona kanë vdekur që nga fillimi i konfliktit në këtë vend.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG