Ndërlidhjet

Raportet e rrezikuara me faktorin ndërkombëtar


Institucionet e Kosovës me vonesën për krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, janë duke rrezikuar marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar dhe proceset e rëndësishme nëpër të cilat duhet kaluar Kosova, thonë analistët e çështjeve politike.

Ata theksojnë se formimi i kësaj gjykate do të ndodh dhe se zvarritja e këtij procesi është e pakuptimtë.

Analisti Ilir Ibrahimi, thekson se në radhë të parë raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, mund të lëkunden me vonesat dhe mos-themelimin e kësaj gjykate.

“Rreziku është në këto dy anë, do të thotë në aspektin strategjiko-gjeopolitik, i kemi SHBA-të si përkrahës të pa diskutueshëm ndaj Kosovës, dhe në anën tjetër, kemi edhe Bashkimin Evropian”, tha Ibrahimi.

Analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se si Qeveria ashtu edhe Kuvendi i Kosovës, janë duke e dëmtuar vendin me vonesën rreth krijimit të Gjykatës Speciale.

“Zvarritja për krijimin e Gjykatës Speciale i ka edhe rreziqet e veta në kuptimin e dëmit që mund t’i bëhet vendit. Këtu në radhë të parë kemi parasysh procesin e integrimit evropian, i cili siç po shihet është bllokuar për shkak të krijimit të Gjykatës Speciale. Në anën tjetër, lidhen edhe shumë procese. Unë madje këtë çështje e shoh [të ndërlidhur] edhe me liberalizimin e vizave”, tha Mushkolaj.

Kosova është duke humbur edhe në aspektin e brendshëm me vonesën për krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, thotë analisti Ibrahimi.

“I gjithë kapaciteti ynë politik dhe shoqëror është fokusuar ne këtë çështje dhe ne nuk kemi ndonjë kapacitet të dukshëm. Ne e dimë ketë, sepse ne ngecëm në shumë drejtime. Në vend që të flasim për zhvillimin ekonomik, ne jemi përqëndruar tërësisht këta muajt e fundit vetëm në Gjykatën Speciale".

"E kuptojmë që është një gjë e rëndësishme, mirëpo është një gjë e cila do të ndodhë. Tash a do të ndodhë nga ne apo OKB-ja, janë dy çështje që neve na mbetet të zgjedhim”, tha Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta riprocedojë amandamentin kushtetues, tashmë të rrëzuar nga Kuvendi i Kosovës më 26 qershor, për këtë gjykatë.

Partitë opozitare kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa sqarime në lidhje me deklaratat e tij se do ta riprocedojë për votim në Kuvend amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Opozita ende nuk ka marrë sqarimin nga kryeministri Mustafa.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë theksuar se Kuvendi duhet ta themelojë Gjykatën Speciale para pushimeve verore, qoftë edhe përmes një seance të jashtëzakonshme.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte është një kërkesë e faktorit ndërkombëtar që doli si rezultat i raportit të Këshillit të Evropës ku u ngritën disa pretendime e supozime për krime lufte, të cilat dyshohet se janë kryer nga disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj disa civilëve serb.

Për këto pretendime, një Task- Forcë ndërkombëtare ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Megjithatë, për zbardhjen e këtyre pretendimeve, është vlerësuar se do të nevojitet të themelohen dhoma të veçanta të prokurorisë dhe gjykatave, nën udhëheqjen ndërkombëtare për t’i trajtuar këto raste të dyshuara në një Gjykatë Speciale me seli jashtë Kosovës.

XS
SM
MD
LG