Ndërlidhjet

Maqedoni: Prokurori special me shumë sfida


Njohësit e çështjeve juridike në Maqedoni, theksojnë se zgjedhja e prokurorit special, sipas marrëveshjes politike e nënshkruar nga ana e katër liderëve politik, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, duhet të rregullohet qartë me ligj si bazë për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të ushtrojë të gjitha kompetencat.

Mersim Maksuti, njohës i çështjeve juridike, thekson se paralelisht me ndryshimet ligjore që do t'i garantonin autonomi të plotë prokurorit special, duhet të pësojnë reforma thelbësore edhe gjykatat, sepse sipas tij në atë rast do të ishte e kotë puna e prokurorit special.

Maksuti thotë se do të ishte më së miri formimi edhe i një Gjykate Speciale, por këtë fatkeqësisht nuk e lejon Kushtetuta e Maqedonisë, ndryshimi i së cilës paraqet një procedurë të komplikuar që vështirë se mund të realizohet në një afat kaq të shkurtër kohor, deri në shtator kur duhet të veprojë prokurori special.

"Duhet të themelohet një departament i veçantë me zgjedhjen e gjykatësve të veçantë të cilët do të procedonin vetëm rastet të cilat iniciohen nga prokurori special”, thekson Maksuti.

Ndërkohë, avokati Jovan Joanidis, ish-prokuror, konsideron se duhet të eliminohen të gjitha mundësitë për t'i krijuar obstruksione prokurorit publik qoftë nga organet shtetërore ose partitë politike, duke theksuar se në Maqedoni mund të gjendet kuadër profesional që të realizohet sukses këtë detyrë.

“Në ligj, saktë duhet të definohen obligimet që do të duhet t'i ketë prokurori special, që mos të na paraqitet dualizëm, gjithashtu saktë duhet të definohet dhe ekipi me të cilin duhet ai të punojë, mjetet financiare të nevojshme për të vepruar dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me këtë institucion", thekson Jovan Joanidis .

Familjarët e të akuzuarve për rastin Monstra, pas deklaratës së fundit të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për media se të gjitha dëshmitë rreth këtij rasti do t'i dorëzohen prokurorit special, thonë se vetëm një prokuror publik i huaj mund të veprojë në formë të pavarur.

“Unë mendoj se sikur prokurori special do të ishte i huaj do të ishte më i besueshëm sepse ai nuk do të influencohej nga politika ditore, përkatësisht nuk do të kalkulonte me asnjë parti politike, por duke qenë tërësisht i pavarur do të kryente detyrën ashtu siç e ka një prokuror publik”, thekson Bedri Ajdari vëllai i njërit nga të akuzuarit për rastin Monstra.

“Më vjen mirë që ai (Zaevi) zotohet se të gjitha dëshmitë që posedon nga materialet e përgjuara rreth rastit Monstra do t'ia dorëzojë prokurorit special, por mbetet të shohim se çfarë materiale do t'i dorëzojë. Ne kemi kërkuar disa herë publikisht nga Zaevi, madje edhe në formë të shkruar përmes avokatëve mbrojtës të rastit, që të na i japë të gjitha dëshmitë me të cilat ai disponon", tha Ajdari.

Ndryshe çështja e zgjedhjes së prokurorit special që është pjesë e marrëveshjes politike, do të diskutohet në kuadër të negociatave mes grupeve punuese të përfaqësuara nga katër partitë politike.

Prokurori special, sipas marrëveshjes së 2 qershor, duket të fillojë punën nga muaji shtator, detyrë e së cilit do të jetë hetimi i materialeve të përgjuara të publikuara nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, sipas të cilit funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në afera të rënda korruptive.

XS
SM
MD
LG