Ndërlidhjet

Beteja e vështirë drejt UNESCO-s


Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), ndërkohë që autoritetet e Serbisë po ashtu kanë konfirmuar se janë duke bërë betejë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Edhe pse më 16 korrik zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, pati theksuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se beteja për këtë anëtarësim ka nisur tash e gjashtë muaj.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është angazhuar që përmes lobimit tek vendet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të sigurojë dy të tretat e votave të shteteve në këtë organizatë.

“Është një betejë shumë e vështirë dhe Kosova nuk e ka lehtë. Por, me të gjithë partnerët tanë, me shumë shtete tjera, ne do të vazhdojmë fazën e dytë e më pas edhe të tretë të lobimit, që t’i sigurojmë votat".

"Kemi analizuar edhe vitet e kaluara mundësinë e Kosovës që të anëtarësohet dhe këtë vit, kemi konkluduar së bashku me miqtë dhe aleatët e Kosovës, se është një moment i mirë që të sigurohen dy të tretat ( e votave). Asgjë nuk është e sigurt, por gjasat janë të mira që bota është e gatshme ta pranojë Kosovën në familjen e UNESCO-s”.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti serb është duke bërë gjithçka që është e mundur që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Për aq sa mundemi, ne jemi duke luftuar për këtë. Ne vërtetë jemi duke luftuar dhe jemi duke dhënë gjithçka nga vetja që ta pengojmë një gjë të tillë me të gjitha mjetet paqësore, demokratike dhe politike. Serbia më nuk është e pafuqishme siç ka qenë dikur. Unë edhe më tej nuk do të mbiçmoja rolin tonë,por as nuk do ta nënçmoja”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se është qesharake që trashëgimia kulturore e serbëve, që ndërlidhet me kishat ortodokse serbe në Kosovë, të jetë pjesë e trashëgimisë të tjetërkujt.

“Për mua është qesharake që Deçani, Graçanica dhe Bajska të jenë pjesë e trashëgimisë së dikujt tjetër dhe jo të të trashëgimisë kulturore serbe. madje, për mua kjo është tragjikomike”, ka theksuar kryeministri i Serbisë.

Zëvendësministri i Jashtëm, Selimi, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është ndonjë sulm ndaj kishave serbe, por, sipas tij, bëhet fjalë për nevojat e Kosovës që ndërlidhen me edukimin, shkencën dhe kulturën.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, nuk do ta ndryshojë natyrën e trashëgimisë së kishës ortodokse serbe, por kjo e fundit do të jetë e mbrojtur edhe më mirë.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO vetëm se e avancon pozitën e trashëgimisë serbe në Kosovë. Ajo do të jetë urë lidhëse në mes Serbisë dhe Kosovës e jo vijë ndarëse. Prandaj, unë po shpresoj që Serbia do ta ndërpresë politikën e bllokadës dhe izolimit të Kosovës”.

Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në kuptimin procedural, Kosova ka gjasa jashtëzakonisht të mira që të bëhet pjesë e UNESCO-s,por edhe për faktin se kjo e fundit ka interes që të promovojë vlerat për të cilat edhe është themeluar si organizatë.

“Nuk ka ndonjë dispozitë juridike që parasheh ose që kërkon në mënyrë të prerë të qenit anëtar në OKB për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Mbi këtë bazë, mungesa e kësaj dispozite e lë rrugën e hapur dhe jep dritën jeshile që Kosova të aplikojë dhe sipas mendimit tim, në këtë drejtim mbase edhe jemi të vonuar. Kosova, tashmë ka 110 njohje nga vendet anëtare të OKB-së, nga totali prej 194 shtete. Mendoj se gjasat janë shumë të mira dhe unë jam shumë optimist për anëtarësimin”.

Pas aplikimit të Kosovës në UNECO, në tetor të këtij viti, në këshillin ekzekutiv të kësaj organizate do të votohet për rekomandimin pozitiv për Kosovën, ku nevojiten 51 për qind e votave.

Më pas, në nëntor, në konferencën e përgjithshme, do të nevojiten dy të tretat e votave të atyre që janë prezent dhe votojnë, në mënyrë që Kosova të pranohet pjesë e UNESCO-s.

XS
SM
MD
LG