Ndërlidhjet

Komunikacioni në Kosovë, kaotik


Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë, kanë ndodhur mbi 7 mijë aksidente, prej tyre 41 aksidente trafiku me fatalitet me 46 persona të vdekur, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Shkak i aksidenteve, kryesisht ka qenë mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës ka theksuar për Radion Evropa e Lirë, se numri i aksidenteve në komunikacion është i lartë dhe se janë duke punuar që përmes masave proaktive dhe aktive ligjore të ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve në përgjithësi.

“Një nga objektivat e parapara nga Policia e Kosovës, është edhe reduktimi i aksidenteve në komunikacionin rrugor, veçanërisht reduktimi i aksidenteve me fatalitet dhe ky objektiv sipas statistikave që ne kemi shkon kah realizimi në aspektin pozitiv (në vitin 2014 gjashtëmujorin e parë kemi pasur 53 aksidente fatale me 63 persona të vdekur ndërsa ne vitin 2015, periudha e njëjtë kemi pasur 41 aksidente trafiku me fatalitet me 46 persona të vdekur- pra zvogëlim te rasteve të tilla)”, ka bërë të ditur Hoxha.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, aksidentet në komunikacion kanë shënuar rënie, por që sipas Policisë së Kosovës edhe këto shifra janë shqetësuese.

Zyrtarët e Policës së Kosovës, kanë bërë të ditur se brenda kësaj periudhe kanë shqiptuar mbi 150 mijë gjoba në trafik.

Derisa, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, Hoxha ka treguar se Policia e Kosovës në disa akse rrugore gjatë sezonit veror, po ushtron kontrolle të vazhdueshme për respektimin e normave ligjore që kërkohen me ligj.

“Në të shumtën e rasteve është konstatuar se aksidentet në komunikacion janë shkaktuar nga tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës ndërmjet automjeteve, gjendja e automjeteve dhe kushtet e rrugës”, ka vlerësuar Hoxha.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës theksojnë se gjendja në komunikacion është tejet e ngarkuar dhe se vozitësit në Kosovë nuk respektojnë shenjat e trafikut.

Zana Gashi, një qytetare nga Prishtina, gjendjen në komunikacion e vlerëson si kaotike.

“Përderisa nuk respektohen shenjat e komunikacionit normal që ndodhin aksidente. Ngasësit e automjeteve në Kosovë mund të vozisin, por nuk i përcjellin shenjat, dhe vozisin në bazë se si është rruga e hapur apo e mbyllur, më shumë respektohet vetura sesa shenjat e trafikut, dhe aksidentet pastaj edhe ndodhin”, shprehet ajo.

Më të rrezikuarit nga mos-respektimi i shenjave të komunikacionit nga ana e vozitësve ndihen fëmijët.

Noela Selishta, është nxënëse e klasës së dytë në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Ajo tregon se kalimin e rrugës nga një anë në anën tjetër e kalon më prindërit e saj, pasi që siç shprehet ajo, nuk dihet e sigurt në komunikacion.

“Vozisin shumë shpejt, nuk ndihem e sigurt, asnjëherë nuk guxoj ta kalojë rrugën e vetme pa përcjelljen e prindërve”, tregon ajo.

Ndryshe, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të respektojnë shenjat e trafikut, t’iu përshtaten shpejtësisë së lejuar me shenjat e trafikut.

XS
SM
MD
LG