Ndërlidhjet

Putin u mban leksione tatarëve të Krimesë


Vladimir Putin
Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar pakicën tatare që të mos përpiqet për status special në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Moska, vitin e kaluar.

Tatarët myslimanë përbëjnë mbi 10 përqind të popullsisë së Krimesë dhe kundërshtojnë pushtimin rus. Por, ata janë nën presion për t’u rreshtuar përkrah autoriteteve të reja që nga aneksimi.

Në një vizitë treditore në Krime, për të promovuar turizmin dhe zhvillimin, Putin ka takuar përfaqësues të pakicave të ndryshime, përfshirë tatarë, në një vendpushim luksoz në fshatin Opolznevoye.

“Marrëdhëniet ndëretnike janë një çështje delikate. Konsideroj se çdo spekulim për të drejta të veçanta të një etnie të caktuar, është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, ka thënë Putin.

Sipas tij, vendet e huaja janë duke financuar aktivistët për të “deztablizuar situatën”, por Moska nuk do të lejojë një gjë të tillë.

“Problemet e tatarëve të Krimesë po përdoren vetëm si mjet për të përmbushur ambiciet personale”, ka thënë Putin.

Tatarët në Krime janë grupi më i madh etnik pas rusëve dhe ukrainasve.

“Krimeja, në thelb, është pasqyrë e Rusisë multientike. Këtu, si gjetkë në Rusi, duhet të kemi vëmendje maksimale në ndërtimin e paqes dhe harmonisë më të madhe, duke kombinuar përpjekjet e autoriteteve shtetërore dhe të shoqërisë civile”, ka thënë Putin.

Rusia është krtikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Këshilli i Evropës dhe Turqia për trajtimin e pakicës turkfolëse. Tatarët janë skeptikë ndaj Moskës pas dëbimit masiv të paraardhësve të tyre, në vitin 1944, gjatë sundimit të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.

Tatarët kanë nisur të kthehen në Krime në masë të madhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe kanë gëzuar një ringjallje kulturore brenda Ukrainës.

Që nga aneksimi në mars të vitit 2014, forcat ruse të sigurisë kanë bastisur asamblenë e tyre kryesore, Mejlis, dhe i kanë dëbuar nga godina. Rusia po ashtu ka heshtur televizionin e tatarëve, ATR.

Disa aktivistë lokalë tatarë raportohet se janë vrarë, rrahur ose zhdukur. Dy liderët më të lartë të komunitetit janë ndaluar të hyjnë Krime.

Në muajin mars, një vit pas pushtimit rus, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “situata me të drejtat e njeriut në Krime është përkeqësuar në mënyrë dramatike, me shtypje në rritje të komunitetve pakicë dhe besimeve, sidomos të tatarëve krimeanë, dhe me mohimin sistematik të lirive themelore”.

Gjatë vizitës në Krime, Putin ka shfaqur besimin se situata në lindje të Ukrainës do të përmirësohet.

“Përkundër të gjitha vështirësve aktuale, situata në Ukrainë do të rregullohet dhe Ukraina do të zhvillohet në mënyrë pozitive. Ajo do të distancohet nga kjo praktikë e turpshme që shohim sot – një vend evropian që i është nënshtruar menaxhimit të jashtëm. Mendoj se kjo është poshtëruese për popullin e Ukrainës”, ka thënë Putin.

Luftimet midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë kanë nisur që nga aneksimi i Krimesë. Mbi 6,400 njerëz kanë vdekur në këto luftime. Në muajin shkurt është arritur një armëpushim, por, në masë të madhe, ai nuk respektohet.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG