Ndërlidhjet

Maqedoni: S'ka marrëveshje per zgjedhjen e prokurorit publik


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e prokurorit publik special të paraparë me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Prokurori duhet të propozohet nga opozita, por zgjedhja e tij nuk do të mund të bëhet pa mbështetjen edhe të partive në pushtet.

Bisedimet mes partive po ndërmjetësohen nga i dërguari i Bashkimit Evropian, diplomati belg, Petar van Hojt, i cili pret që grupet e punës t'i përmbahen afatit që deri më 15 shtator Maqedonia të ketë prokurorinë speciale, i cili do të nis me punë për hetimin e aferës së përgjimeve të publikuara nga opozita.

Por, Sllagjana Taseva, njohëse e çështjeve juridike dhe drejtuese e organizatës, “Transparency Macedonia“, thotë se me marrëveshjen politike shumë pak janë saktësuar çështjet që kanë të bëjnë me punën e prokurorit publik special.

Ajo thotë se personi që do të drejtojë zyrën duhet të jetë njeri me kredibilitet të lartë dhe i guximshëm në zbatimin e plotë të ligjit dhe të obligimeve që parashihen me marrëveshjen politike, pavarësisht presioneve që mund të has nga partitë.

“Gjithçka duhet të definohet qartë si dhe të saktësohet apo të plotësohet ligji për prokurorinë nëse një gjë e tillë është e nevojshme, madje të formohet edhe një prokurori krejtësisht e re. Këtë punë nuk mund ta kryej vetëm se një person, pra, ai duhet të ketë një ekip të tërë për të realizuar obligimet që parashihen me marrëveshjen politike, e që pritet të definohen nga takimet e grupeve të punës".

"Gjithashtu, konsideroj se duhet të përcaktohen edhe aspektet buxhetore si dhe përgjegjësitë që të mos ketë ndeshje kompetencash me prokurorin aktual, Zvrlevski. Pra, grupet e punës duhet të qartësojnë gjithçka që të mos paraqiten më vonë probleme në funksionimin e këtij organi që ka peshë të madhe në vendosjen e së sundimit të drejtës lidhur me çështjet që do të hetojë“, thotë Taseva.

Prokurori special duhe të hetojë nëse bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, përfshirë kryeministrin, Nikolla Gruevski, janë autentike dhe nëse nga përmbajtja e tyre ka veprime kriminale të zyrtarëve.

Nga bisedat e publikuara, sipas opozitës, “kryeministri, Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë përfshirë në krime të rënda, në falsifikimin e zgjedhjeve, presione ndaj pushtetit gjyqësor, në zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve, në presione ndaj mediave, e krime tjera“, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga partitë në pushtet.

Gruevski ka akuzuar opozitën për “puç shtetëror“ me incizime të jashtëligjshme të zytarëve me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete ndërsa përmbajtja e bisedave ka thënë se është e montuar.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se prokurori special do të ketë vështirësi të shumta në hetimin e kësaj afere.

Që puna e tij të mos dështojë, Demiri thotë se ai duhet të ketë një ekip profesional dhe të besueshëm si dhe mbështetje të fuqishme financiare, ndërsa si element më të rëndësishëm, ai sheh bashkëpunimin me gjykatat pasi pa një mbështetje të ndërsjelltë, angazhimi i tij nuk do të ketë sukses.

“Prokurori nuk është individ i cili do ti kryej të gjithë punët, por prokuroria është një ekip i tërë, pra ekip i prokurorëve prej disa personave që duhet të punojnë si ekip dhe të bashkëpunojnë, mirëpo bashkëpunimi është i rëndësishëm në veçanti me gjyqësinë".

"Nëse nuk ka gjyqësi dhe gjykata të pavarura dhe nëse ato nuk bashkëpunojnë me prokurorinë, atëherë puna e tij mund të jetë e kot. Puna e tij kërkon kushte për procesuimin deri në fund të lënde për të cilat është i angazhuar".

"Probleme mund të paraqitet pasi nuk përjashtohen obstruksionet e mundshme nga si nga gjykata ashtu edhe nga ekipi i vet. Por, probleme më të mëdha do të ketë me partitë politike pasi vështirë do të merren vesh që të harmonizohen ekipet dhe të harmonizohet puna e prokurorit me gjyqësinë“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

XS
SM
MD
LG