Ndërlidhjet

Mustafa në Vjenë, vlerëson marrëveshjet me fqinjët


Vjenë, 27 gusht 2015.
Vjenë, 27 gusht 2015.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në sesionet e së enjtes të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ashtu si edhe të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të tjerë të shteteve dhe të mekanizmave të BE-së.

Në fjalën e tij, kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova ka bërë përpjekje maksimale që të relaksojë dhe ndërtojë marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

“Me Malin e Zi dje kemi nënshkruar marrëveshjen për shënimin e kufijve, me Serbinë para dy ditësh kemi arritur marrëveshje shumë të rëndësishme në Bruksel dhe dëshiroj që ta falënderoj edhe përfaqësuesen e lartë, Mogherini, për punën shumë të mirë dhe të përkushtuar që po bën”, ka thënë Mustafa.

Ai ka përmendur edhe miratimin e amendamentit kushtetues, nga ana e Kuvendit të Kosovës, që lejon themelimin e Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë.

Ky veprim, ka thënë Mustafa, flet për përkushtimin e Kosovës që të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare dhe po ashtu të forcojë sistemin e drejtësisë dhe shtetin ligjor.

Kryeministri Mustafa është ndalur edhe te fusha e ekonomisë, ku Kosova, sipas tij, po bën përpjekje maksimale për reformat e domosdoshme strukturore dhe reformat e tjera, të cilat hapin perspektivë per jetën e qytetarëve dhe veçmas perspektivën për të rinjtë.

Regjimin e vizave për Kosovën, Mustafa e ka cilësuar si “padrejtësi të madhe” dhe ka thënë se vendi i ka përmbushur detyrat dhe pret që Bashkimi Evropian t’ia hapë mundësinë e lëvizjes pa viza.

Në sesionet e samitit janë trajtuar tema të ndryshme që lidhen me situatën ekonomike, proceset e reformave, rininë, edukimin, energjinë dhe transportin, por kriza me migrantë ka qenë më dominuesja.

Evropa po përballet muajt e fundit me mijëra njerëz që ikin nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë.

Shumica e atyre që arrijnë në vendet e BE-së, përdorin të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe Serbi, e pastaj në Hungari, Austri, Gjermani dhe shtete të tjera në perëndim.

Maqedonia dhe Serbia kanë kërkuar të enjten fonde shtesë nga Bashkimi Evropian, duke thënë se ndihma tashmë e ndarë, prej 1.5 milion eurosh, nuk është e mjaftueshme.

“Duhet të dimë se çfarë të bëjmë me migrantët. Duhet të veprojmë së bashku me vendet e Bashkimit Evropian, sepse nuk është problem regjistrimi – ne i regjistrojmë ata, por ata nuk duan të qëndrojnë në vendin tonë”, ka thënë në Vjenë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Hungaria është duke ndërtuar një gardh me tela përgjatë kufirit me Serbinë, për të ndaluar fluksin e migrantëve.

“E urrej këtë zgjidhje. Ne nuk do të ndërtojmë kurrë gardhe, mure dhe shpresoj të mos vijmë në atë pozitë, sepse bëhet fjalë për njerëz të dëshpëruar, jo për kriminelë dhe terroristë”, ka thënë Vuçiq.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, ka bërë thirrje për një përgjigje të bashkuar të BE-së ndaj “dramës së migrnatëve” dhe jo për veprime individuale, siç është rasti i murit hungarez.

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, rreth 102,000 migrantë kanë hyrë në vendet e Bashkimit Evropian përmes Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Kosovës në periudhën janar-korrik, të këtij viti.

XS
SM
MD
LG