Ndërlidhjet

SHBA: “Zhgënjim i thellë” me dënimin e gazetarëve


Baher Mohamed, Peter Greste dhe Mohammed Fahmy
Baher Mohamed, Peter Greste dhe Mohammed Fahmy

Shtetet e Bashkuara thonë se janë “thellësisht të zhgënjyera” me vendimin e një gjykate në Egjipt, me të cilin dënohen me tri vjet burg, tre gazetarë të rrjetit Al-Jazeera.

Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet një deklarate, ka kërkuar nga Qeveria e Egjiptit “të ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për rishqyrtimin e këtij vendimi, që e dëmton shumë lirinë e të shprehurit, e domosdoshme për stabilitet dhe zhvillim”.

Të shtunën gjatë ditës, një gjykatë në kryeqytetin Kajro e ka shpallur vendimin lidhur me këtë proces të gjatë, që është kritikuar në gjithë botën nga mbrojtësit e lirisë së shtypit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut.

Gazetarët, Mohammed Fahmy, shtetas i Kanadasë, australiani Peter Greste, dhe producenti egjiptas, Baher Muhammad, ishin arrestuar në dhjetor të vitit 2013, derisa punonin për rrjetin Al-Jazeera.

Këta të tre së pari ishin dënuar me burg, por një gjykatë e lartë në Egjipt kishte urdhëruar proces të ri lidhur me akuzat se ishin pjesë e Vëllazërisë Myslimane, të cilën autoritetet e kanë shpallur organizatë terroriste, dhe për paraqitjen e fotografive të falsifikuara, me qëllim të dëmtimit të sigurisë kombëtare.

Gazetari Greste ishte dëbuar nga Egjipti në muajin shkurt.

Duke folur nga Australia, Peter Greste tha se të tre gazetarët do të luftojnë për ta pastruar emrin e tyre.

“Ne nuk jemi terroristë, ne nuk kemi bërë konspiracion me asnjë organizatë, ne nuk kemi transmetuar asnjë lajm të rrejshëm, prandaj në çdo nivel, në kuptimin e lirisë për kolegët e mi, në emrin tim, emrat e të gjithë neve, ne do të luftojmë”, tha Peter Greste.

Gazetarët Fahmy dhe Muhammad, që ishin liruar pas pagesës së dorëzanisë, dje ishin të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit të gjykatës dhe janë marrë nga policia, pas seancës.

Avokatët e të tre gazetarëve pritet të apelojnë kundër këtij vendimi.

Avokatja e gazetarit Fahmy, Amal Clooney, tha jashtë ndërtesës së gjykatës, pas shpalljes së vendimit, se ajo dhe klienti i saj ishin shumë të zhgënjyer me vendimin gjyqësor.

“Vendimi i sotëm dërgon një mesazh shumë të rrezikshëm në Egjipt, dërgon mesazhin se gazetarët mund të mbyllen vetëm se thjesht e bëjnë punën e tyre, për tregimin e së vërtetës dhe për raportimin e lajmeve. Kjo dërgon mesazh të rrezikshëm se në Egjipt ka gjyqtarë, që do të lejojnë që gjykatat e tyre të bëhen instrumente të represionit politik dhe propagandës, por ekziston zgjidhja”.

“Presidenti i Egjiptit, al-Sisi, që në fillim të procesit pat thënë se ai do të dëshironte që akuza kurrë të mos ishte bërë dhe se ai do të ndërhynte në fund të procesit gjyqësor për të siguruar amnisti, nëse gazetarët do të dënoheshin përsëri”, tha avokatja Amal Clooney, bashkëshorte e aktorit të njohur të Hollivudit, George Clooney.

Në seancën e së shtunës, gjyqtari Hassan Farid, tha se gjykata ka zhvilluar hetime të plota, dhe ka gjetur se të tre gazetarët kanë transmetuar lajme të rrejshme, ata nuk ishin gazetarë dhe kanë operuar pa leje ose liçenca.

Baher Muhammad, njëri nga tre gazetarët e dënuar të rrjetit Al-Jazeera, që kanë punuar në gjuhën angleze, do t’i kaloj edhe 6 muaj të tjerë në burg, për shkak se ka paseduar “plumb”, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve e Egjiptit, MENA.

Gazetari Peter Greste, tha se ishte i “shokuar” me dënimin, ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të rrjetit, Al- Jazeera, në gjuhën angleze, Mostefa Souag, the se vendimi gjyqësor është në kundërshtim “me logjikën”.

Ministrja e shtetit për çështje konsullore e Kanadasë, Lynne Yelich, tha se vendimi i gjykatës “e shkatërron besimin në sundimin e ligjit në Egjipt”.

Amnesty International, po ashtu, e ka dënuar vendimin duke vlerësuar se ai paraqet “kambanë të vdekjes për lirinë e shprehjes në Egjipt”.

Të tre gazetarët i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat, ndërsa mbrojtësit e të drejtave të njeriut thanë se arrestimi i tyre ishte pjesë e goditjes më të gjërë ndaj lirisë së shprehjes, prej se presidenti i dikurshëm, Muhammad Morsi, personalitet i lartë në Vëllazërinë myslimane, ishte përmbysur nga ushtria, në mes të vitit 2013, pas protestave masive.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG