Ndërlidhjet

Shërbime të kufizuara arsimore për fëmijë me nevoja të veçanta


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Procesin mësimor këtë vit shkollor në Kosovë e ndjekin rreth 390 mijë nxënës të arsimit fillor, në rreth 1200 objekte, me mbi 25 mijë mësimdhënës.

Fëmijët me nevoja të veçanta, vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të rregullt arsimor. Gjatë vitit të kaluar mbi 6 mijë nxënës me nevoja të veçanta kanë vijuar mësimin, derisa këtë vit shkollor regjistrimi për fëmijët me nevoja të veçanta do të vazhdojë edhe gjatë gjithë muajit shtator.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, thonë se kryesisht janë ata vetë që i përkrahin fëmijët e tyre, dhe përmendin mungesën e përkrahjes financiare nga institucionet.

Shemsie Ratkoceri, është nënë e një fëmije me nevoja të veçanta, i cili vijon klasën e dytë në shkollën fillore "Meto Bajraktari" në Prishtinë. Ajo flet për sfidat në mungesë asistenteje.

"Unë e sjell në shkollë djalin tim prej vitit të kaluar. Ai tash ka 9 vjet, por është në klasën e dytë. Mësuesja merret shumë me të. Por, unë rri në klasë me djalin. Unë e ushqej, unë kujdesem në klasë për të, sepse ka problem edhe me këmbë. Edhe drejtoresha e shkollës ka pranuar që unë të jem gjatë tërë kohës me fëmijën në klasë. Asistente nuk ka, nuk e kanë siguruar".

Lulavere Kadriu, udhëheqëse e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, për nivelin e arsimit parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë në të gjitha komunat e Kosovës janë ekipet vlerësuese që vlerësojnë nëse një fëmijë duhet të ketë në klasë asistenten...

"Ne jemi duke shkuar në ato (komuna) që të sigurojmë mësuesen mbështetëse. Por, ekipet vlerësuese në teren janë duke bërë vlerësimin se a duhet të ketë në klasë asistent, varësisht nga nevojat që ka fëmiu".

Zonja Kadriu ka shtuar se ndonëse interesimi për regjistrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta është i madh, ky institutcion nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë do të vijojnë mësimin këtë vit.

"Ende nuk i kemi marrë të dhënat se sa fëmijë do të vijojnë mësimin këtë vit, pasi që edhe gjatë shtatorit vazhdojnë të regjistrohen. Tash jemi në proces të mbledhjes së informatave në komunat e Kosovës".

"Vitin e kaluar kanë qenë 6093 fëmijë me nevoja të veçanta që e kanë vijuar arsimin parauniversitar. Prej tyre 4820 kanë qenë në shkolla të rregullta. Çdo vit ka rritje të numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta. Nga janari i këtij viti, janë bërë në 28 komuna të Kosovës ekipet vlerësuese pedagogjike, dhe kanë për detyrë gjithashtu edhe identifikimin e këtyre fëmijëve dhe presim që të rritet numri i këtyre fëmijëve që do të vijojnë mësimin", tha Kadriu.

Sebahate Beqiri nga organizata Dawn Sindrom Kosova, ka bërë të ditur se për këtë vit janë paraqitur në organizatën që ajo udhëheq, 5 fëmijë me Sindromën Dawn nga e gjithë Kosova, që dëshirojnë të vijojnë mësimin, derisa edhe ajo përmend mungesën e asistentëve në klasa.

"Ne si shoqatë, nuk po e shohim si problem regjistrimin e fëmijëve në shkolla, por problem mbetet mungesa e shërbimeve brenda shkollave të rregullta. Prindërit janë duke u ballafaquar me gjetjen e asistenteve private dhe pagesën për asistente private, e që i paguajnë vëtë".

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se SBASHK-u vazhdimisht ka përkrahur fëmijët me nevoja të veçanta, por gjithashtu ka kërkuar që këta fëmijë përpos mësueses të kenë edhe ndihmës brenda klasës.

"SBASHK angazhohet që në klasë të ketë edhe një asistent të mësuesit që të merret më shumë më fëmijët me nevoja të veçanta. Me asistentë kemi problem, por besoj që do të gjejmë mbështetje dhe zgjidhje nga institutcionet relevante. Unë mendoj që mësuesit e kanë të vështirë të punojnë me shumë fëmijë në klasë, e edhe me fëmijë me nevoja të veçanta".

Ndryshe, në Prishtinë ekziston edhe shkolla speciale "Përparimi", shkollë e cila përfshin fëmijë me nevoja të veçanta, përfshirë këtu edhe fëmijët me dëmtime intelektuale.

Aty fëmijët ndjekin mësimet në katër nivele: parashkollor, shkollor, niveli i mesëm dhe i mesëm i lartë.

XS
SM
MD
LG